Report TV - Taksa e ndërtesës do të vendoset edhe për ndërtuesit që vonohen
  • 6 years ago
Qeveria, në mbledhjen e saj të ditës së djeshme, ka përcaktuar përfundimisht rregullat për taksën e re që do të vendoset mbi ndërtesat. Ajo që bie në sy është fakti që, përveç një tarife të veçantë për familjarët dhe një tjetër për bizneset, që janë bërë tashmë publike në media, do të vendoset edhe një tarifë e tretë edhe për ndërtuesit. Në projektligjin për taksat vendore, propozohet një amendim, duke detyruar subjektet e këtij sektori të paguajë 30% të taksës përkatëse për të gjithë sipërfaqen ndërtimore, por vetëm në rast se zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi, ndërkohë që nuk ka arritur ta përfundojë atë sipas afatit të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi.
Shkalla e taksës mbi ndërtesat e cila aplikohet si përqindje e bazës së taksës, në rast se miratohet në Kuvend, do të jetë si më poshtë: 0.05% për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për banim; 0.15% për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për veprimtari ekonomike dhe 30% të shkallës së taksës përkatëse për të gjithë sipërfaqen ndërtimore për të cilën zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi dhe nuk ka arritur ta përfundojë atë sipas afatit të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi.

Një tjetër risi është fakti që, nga kjo taksa, përjashtohen disa kategori si hotelet me pesë yje që kanë status special. Nga kjo masë parashikohet që të vijë një efekt pozitiv në buxhetin e financave vendore, që është llogaritur në plus 2.4 miliardë lekë.
Recommended