Ish–Ministri Tahiri ne Prokurorine e Krimeve te Rënda, merret në pyetje per dosjen “Habilaj”

  • 6 years ago
10 ditë pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi një procedim penal për ish - Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri si të implikuar në dosjen Habilaj, deputeti është thirrur sot për herë të parë për t'u marrë në pyetje.

Ish - Ministri ka qenë i përpiktë në orarin e caktuar nga organi i akuzës. I shoqëruar nga 2 avokatët e tij, Maks Haxhia dhe Artan Hajdari janë paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda në orën 14:00.

Shkresa e Prokurorisë për të ftuar Tahirin është nisur dje nga Prokuroria e Përgjithshme dhe ka mbërritur këtë të premte në shtëpinë e Tahirit.

Ish - Ministri do të pyetet nga prokurorët e çështjes mbi lidhjet e tij me vëllezërit Habilajt të përfshirë në rrjetin e trafikut të drogës për të cilët prokuroria italiane e Katanias ka kryer për afro 4 vjet përgjime dhe hetime. Në këto përgjime përmendet dhe emri i ish - Ministrit të Brendshëm, si i përfshirë në këtë trafik.

Burime nga Prokuroria bëjnë të ditur për Tv Klan se gjatë marrjes në pyetje Tahiri ka mbajtur qëndrim mohues për akuzat për të cilat akuzohet duke sqaruar se nuk i njeh Moisi, Artan dhe Florian Habilaj.

Ndërsa grupi hetimor është duke punuar për të siguruar prova të tjera. Hetuesit janë vënë në ndjekje të Audit me targa AA 003 GB, makina që Tahiri ju shiti vëllezërve Habilaj, vetëm 2 muaj pasi mori detyrën e Ministrit të Brendshëm dhe me të cilën ka udhëtuar disa herë pas shitjes për të dalë jashtë vendit me familjen. Deri tani ky automjete nuk është gjetur nga grupi hetimor i organit të akuzës.

Tv Klan

Recommended