Report TV - Lezhë, shkëmbi bie mbi makinë tre të vdekur, dy ishin vëllezër

  • 6 years ago
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Torovicë-Malecaj në afërsi të Lezhës pak minuta më parë. Rënia e një masivi shkëmbor ka zënë poshtë një automjet tip fuoristradë që po kalonte aty dhe për pasojë tre persona kanë humbur jetën, mes të cilëve dy ishin vëllezër. Viktima e tretë është bashkëshortja e njërit prej vëllezërve.

Në vendin e ngjarjes mbërritën forca të shumta policie, autoambulanca nga spitali i Lezhës si dhe shërbimi zjarrfikës. Këta të fundit bënë të mundur edhe nxjerrjen e trupave të pajetë nga automjeti i zënë poshtë nga gurët. Identiteti i viktimave ende nuk bëhet i ditur, ndërsa mësohet se ishin nga fshati Balldre i Lezhës, pak kilometra nga vendi ku ndodhi ngjarja.

Asnjë prej tyre nuk ka mundur të dalë nga makina në momentin e shkëputjes së shkëmbit, duke bërë që të humbin jetën tragjikisht mes gurëve.

Reshjet e shiut të rëna gjatë paradites së kësaj të shtune kanë nxitur rënien e gurëve në këtë pjesë të rrezikshme të aksit Torovicë-Malecaj në Lezhë. Megjithatë do të jetë grupi hetimor që do saktësojë shkaqet e kësaj ngjarje tragjike. Banorët e kësaj zone janë ankuar vazhdimisht për rënien e gurëve në këtë pjesë të rrugës, por apeli i tyre ka rënë në vesh të shurdhër.

Recommended