Armand Duka inspekton “Arenën Kombëtare”

  • 7 years ago
"Arena Kombëtare" do të jetë gati për të pritur Superkupën e Europës 2019, projekt me të cilin Federata Shqiptare e Futbollit garon me disa federata të tjera europiane. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka inspektoi punimet e stadiumit. Duka u informua mbi ecurinë e punimeve nga arkitekti Mario Casamonti, sipas të cilit deri tani po plotësohet faza e parë dhe më e vështira, 50 përqindëshi i parë i punimeve.


"Jam i kënaqur për ketë vepër të rëndësishme për të gjithë shqipërinë. Konstatova se jemi në rrugën e duhur sepse punimet janë brenda afateve dhe në një cilësi të kënaqshme. Po vazhdojmë me seriozitet për të arritur objektivin e organizimit të Superkupës 2019, por kemi disavantazh, sepse konkurrojmë me projekt".

Krenar që si italian dhe nga qyteti i Firenze, arkitekti Mario Casamonti, tha se fasada e stadiumit "Qemal Stafa" do të ruhet plotësisht.


"Fasadën e kemi çmontuar pjesë pas pjese dhe do ta vendosim sërish në vend, ashtu siç ka qenë. Për mua janë dy arsye për t'u krenuar. E para që po punoj mbi gjurmën e projektit të arkitektit Gerardo Bozio dhe e dyta se ai ishte nga Firence, siç jam edhe unë".

Aktualisht po punohet me intensitet në 9 kolonat që do të mundësojnë hyrjen në stadium, ndërsa sistemi i ventilimit në parkingun nëntokësor do të mundësohet nga një projekt hibrid me ajrim nga jashtë dhe artificial. Aktualisht në kantier janë të angazhuar 400-500 persona, 30 prej të cilëve inxhinierë, të cilët po punojnë me kapacitet të plotë për të respektuar afatin e punimeve.

Tv Klan

Recommended