Venecia: Për Vetting-un vendos Gjykata Kushtetuese

  • 7 years ago
Fjalën e fundit për kushtetueshmërinë e ligjit të Vetting-ut do ta thotë Gjykata Kushtetuese. Kështu është shprehur Komisioni i Venecias në paragrafin 15 dhe konkluzionet e opinionit të bërë publik, pas disa pyetjeve që kjo gjykatë adresoi në këtë organizëm.

?Komisionit të Venecias nuk i kërkohet të bëjë një analizë të Ligjit të vetting-ut në dritën e legjislacionit të zakonshëm aktualisht në fuqi në Republikën e Shqipërisë, në funksion të një interpretimi koherent e të dispozitave të ligjit, pasi kjo është detyrë e Gjykatës Kushtetuese e cila është padyshim e njohur mirë me legjislacionin dhe doktrinën. Është Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë qe ka fjalën e fundit për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë me ligjin?

Sipas Komisionit të Venecias, ndonëse Gjykata Kushtetuese është në konflikt interesi me ligjin e Vetting-ut, ajo nuk mund të përjashtohet nga e drejta për të shqyrtuar nëse ligji është në përputhje me Kushtetutën.

?Përjashtimi i gjyqtarëve të Kushtetueses, për shkak te ekzistencës se konfliktit të interesit do të çonte në heqjen totale të mundësisë për të pare nëse ligji i Vettingut është në përputhje me Kushtetutën. Kjo do te minonte garancitë e siguruara për rishikimin funksional të legjislacionit. Kjo situatë mund të konsiderohet nga Gjykata Kushtetuese si një "rrethanë e jashtëzakonshme" që mund të kërkojë largimin nga parimi i skualifikimit në mënyrë që të parandalojë mohimin e drejtësisë.?

Ajo që vihet re në opinion është se ky komision nuk është shprehur lidhur me pjesën e parë të pyetjes që ishte dhe shqetësim i demokratëve nëse ligji respekton parimet themelore të shtetit ligjor, ndarjen dhe balancimit të pushteteve.

Sa i përket pyetjes së Kushtetueses nëse me ligjin e vetting-ut rrezikohet pavarësia e sistemit gjyqësor nga përfshirja e organeve nën kontrollin e ekzekutivit gjatë procesit të rivlerësimit të gjyqtareve dhe prokuroreve, ?Venecia? në opinionin e saj shprehet se nuk ka ndërhyrje në kompetencat e gjyqësorit.

Për pyetjen nëse dispozitat ligjore bien ndesh me vlerësimet dhe artikullin 8 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për respektimin e privatësisë së gjyqtareve dhe prokuroreve, në rast kur kërkohet informacion nëse gjyqtari apo prokurori ka patur kontakt me persona të përfshirë në krimin e organizuar, Venecia jep këtë përgjigje:

?Për Komisionin e Venecias, konkluzioni themelor është që grupi i punës, i cili ka rolin kryesor në kontrollin e figurës dhe që përbëhet nga personel sigurie, të funksionojë nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e organeve të rivlerësimit dhe që të gjitha materialet në dispozicion të grupit të punës duhet të jenë në dispozicion të tyre?.

Pas mbërritjes së opinionit dhe përkthimit të tij, Gjykata Kushtetuese pritet të marrë vendimin, nëse ligji i Vetting ?ut është në përputhje ose jo me Kushtetutën.

/ TV KLAN

Recommended