Report TV - Besimtarët në Tiranë: Të shpallet ditë feste shenjtërimi i Nënë Terezës

  • 8 years ago
'Mesazhet e shenjtës Nënë Terezë duhet të jenë shembull për familjen dashurinë dhe jetën'. Kështu i përcjellin veprat e humanistes Nënë Tereza besimtarët Katolikë në Shqipëri të cilët morën pjesë në meshën e veçantë të së dielës. Në katedralen e Shën Palit dhjetëra besimtarë janë lutur për Shenjtën shqiptare.

Ditë e shënuar. Shenjtërimi i Nënë Terezës është një ogur i mirë për besimtarët katolike dhe në mënyrë të veçantë për bekimin e dashurisë së çifteve të reja.

Kurorëzimi në martesë i të rinjve ka zënë hapësirë të veçantë në meshën e së dielës në kishën katedrale të Shën Palit, duke marrë si shembull mesazhet e forta të dashurisë që Nënë Tereza përcolli për njerëzimin.

Me emocion ndër besimtarët shqiptarë është përcjellë shenjtërimi i humanistes shqiptare Nënë Tereza.

Kisha katolike është kujdesur të krijojë atmosferë festive, në çdo kishë të saj. Kjo atmosferë festive, u reflektua me numrin e madh të besimtarëve që u përulen në nderim të veprës së humanistes së madhe Nënë Tereza në Katedralen e Shën Palit në tiranë.

Drejtuesi i meshës në katedrale kujtoi se Nënë Tereza ishte misionare në rrugën e Jezu Krishtit.

Besimtarë të shumtë kishin zënë vend në këtë meshë të veçantë të së dielës. Ata përcollën përmes mikrofonit të Report TV, emocionet e kësaj ditë te shënuar për katolicizmin e në mënyrë të veçantë për mesazhet që përcolli për dashurinë dhe familjen Shën Tereza.

Madje ka ndër besimtarë që propozojnë që të ketë një festë të shënuar në kalendar për Shën Terezën.

Vepra e humanistes Nënë Tereza është celebruar këtë të diel me shenjtërimin e saj në Vatikan, ku papa Françesku drejtoi meshën në nderim të shenjtës Terezë.

Recommended