Shkodër, ushtria pastron mbeturinat në rrugë - News, Lajme - Vizion Plus

  • 9 years ago
http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Dy muaj e gjysmë pasi i gjithë vendi u përfshi në nismën "Ta pastrojmë Shqipërinë në një ditë", ku statistikat zyrtare raportuan për rreth 100 mijë njerëz të angazhuar në këtë aksion, mes tyre edhe punonjës të administratës lokale dhe ushtrisë, ministria e Mjedisit dhe ajo e Mbrojtjes, në kuadër të Emergjencës Kombëtare të Mjedisit, ka nisur pastrimin e akseve kryesore kombëtare dhe rajoneve bregdetare, aty ku është edhe kontakti i parë i turistëve me vendin tonë. Në pikat kufitare të Muriqanit dhe Hanit të Hotit në Shkodër dhe në disa zona të tjera, janë angazhuar gjatë ditës së sotme më shumë se 1000 forca të ushtrisë dhe dhjetëra mjete. Sipas shefit të Shtabit, Jeronim Bazo, bashkëpunimi civilo-ushtarak është në funksion të një Shqipërie sa më të pastër.Ndërsa zëvendësministrja e Mjedisit, Oliana Ifti tha se do të ketë gjoba për njësitë vendore që nuk marrin masa për pastrimin e territoreve të tyre. Por gjithë ky angazhim i ushtrisë nëpër rrugë dhe zonat bregdetare është konsideruar si një veprim i panevojshëm i prefektit të Shkodrës, Paulin Radovani, sipas të cilit zonat më problematike nuk janë ato që po pastrohen nga ushtria.Në fakt, ish-vendgrumbullimi i mbetjeve urbane në Shkodër, në afërsi të Varrezave të Dëshmorëve, i ngjan një gërmadhe të braktisur. Ky vend që nga vitet '90 ka qenë territor depozitimi për mbetjet urbane, ndërsa që verën e vitit të kaluar u vendos se mbetjet urbane të depozitohen në landfildin e Bushatit dhe hapësira përreth Varrezave të Dëshmorëve të rehabilitohet. Por duket se në 70-vjetorin e çlirimit të Shqipërisë, as ky aksion i ushtrisë nuk i çliroi dëshmorët nga rrethimi i plehrave, çka në fakt është fyerja më e madhe që mund t'i bëjmë atyre. Ndërkohë, ushtria ndërhyri sot edhe në pikat më problematike të qytetit të Lezhës, duke grumbulluar mbetjet e hedhura pa kriter, sidomos mbetjet inerte. Aksioni në të cilin u angazhuan 300 forca ushtarake dhe mjete lëvizëse u shtri në rrugët nacionale dhe ato dytësore.