4 vjet reformë në drejtësi, 16 arritje, 140 të korruptuar të larguar por mungon Byroja e Hetimit

  • 4 years ago
Katër vjet më parë, në 22 korrik të vitit 2016, 140 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, nën presionin e fortë të SHBA-BE, votuan arkitekturën e drejtësisë së re, duke startuar një nga reformat më të rëndësishme në historinë e pluralizmit shqiptar. Ndryshimet kushtetuese të 2016 janë shinat, mbi të cilat vijon të ecë sot reforma në drejtësi, bashkë me sukseset, pengesat, kritikat, bllokadat, akuzat dhe tentativat e vazhdueshme për ta sabotuar. Shqiptarja.com sjell në vëmendje 16 zhvillimet më të rëndësishme rreth reformës në drejtësi gjatë këtyre katër viteve. Në harkun kohor të katër viteve, janë ngritur dhe funksionojnë shumica e organeve të drejtësisë së re, si Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Prokuroria e Posaçme, Gjykatat Speciale, Këshilli për Emërimet në Drejtësi.  

Konstituimi dhe funksionimi i këtyre institucioneve ka ardhur pas miratimit të 6 ligjeve të rëndësishme, pjesë e një pakte me 27 ligje, për zbatimin e reformës në drejtësi. Pas ndryshimeve kushtetuese në korrik, në gusht të 2016 u miratua ligji i Vetingut, ndërsa në tetor 2016 u miratuan ligjet kyçe për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, për statusin e magjistratëve, 2016 për organizimin e pushtetit gjyqësor, për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë, ligji për SPAK dhe gjykatat speciale. Në qershor të 2017, 10 muaj më vonesë, u konstituuan organet e Vetingut, të cilat deri më sot kanë shkarkuar nga detyra 101 gjyqtarë dhe prokurorë, kanë konfirmuar  87 të tjerë, ndërsa 40 subjekte kanë dhënë dorëheqjen nga frika e Vetingut. Në dhjetor të 2018, krijohen dhe fillojnë punë dy qeveritë e drejtësisë shqiptare Këshilli i Lartë i Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. KLP dhe KLGJ kanë nisur të zëvendësojnë me magjistratë të rinj të shkarkuarit nga Vetingu.