Anulimi i 30 Qershorit dhe Kushtetuesja/ Tërhiqet PS: Nuk janë të mjaftueshme për ta shkarkuar Metën
  • 4 years ago
TIRANE-Partia Socialiste nuk do ta shkarkojë Ilir Metën. Sot në komisionin e Posaçëm Hetimor u paraqitën dy raporte, një nga shumica socialiste dhe një nga opozita parlamentare mbi gjetjet nëse kreu i shtetit ka shkelur Kushtetutën me dekretin për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit të vitit të kaluar, por edhe emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

Relatorja nga PS-ja, që përgatiti raportin, Klotilda Bushka u shpreh se pas analizimit të provave dhe dëshmive arriti në përfundimin se Ilir Meta ka kryer shkelje me anulimin e datës së zgjedhjeve, por shkelja nuk është aq e rëndë për të justifikuar shkarkimin nga detyra. Të gjithë debatin PS-ja e mbyll duke i rekomanduar Kuvendit që të bëjë një ligj organik për Presidentin dhe ndërhyrje në Kushtetutë për zhbllikimin e mekanizmit bllokues që u krijua në Gjykatën Kushtetuese me emërimet. Me raportin nuk ishte dakord Bashkim Fino.Socialisti i vjetër u shpreh "Unë jam kundër, çfarë do i themi presidentit, kujdes atje dhe kujdes këtu? Kush është ai president që të dëgjon, ai thotë se nuk dua t'ia di për rezolutat që bën ti". Por ndryshe nga shumica socialiste, opozita parlamentare në raportin e hartuar nga relatori Halit Valteri shprehet se anulimi i datës së zgjedhjeve është shkelje që meriton shkarkimin e Presidentit, ndërsa për cështjen e debatit të emërimeve nuk u shpreh, teksa që në fillim ka qenë kundër zgjerimit të objektit hetimor.

Por ashtu si te shumica edhe te opozita parlamentare jo të gjithë kanë qenë në një mendje, pasi deputeti Adriatik Alimadhi ishte kundër shkarkimit të Presidentit. Pas debateve dhe akuzave nga Halit Valteri se PS-ja u tërhoq nga shkarkimi për një tjetër rimartesë dhe pazar me Ilir Metën, opozita parlamentare u largua nga komisioni online, ndërsa Adriatik Alimadhi qëndroi. Të hënën raportet do të diskutohen dhe më pas zyrtarisht do i dërgohen Kuvendit për ta votuar në 30 Korrik, seancën e fundit të sesionit. Por historia mbyllet, Partia Socialiste fali Presidentin.
Recommended