49 viktima/ Ndërron jetë 66-vjeçari, 78 të prekur në 24 orë, vatrat më të nxehta në Shkodër e Krujë
  • 4 years ago
TIRANË- Rastet me koronavirus në vendin tonë vazhdojnë të rriten, e ndërsa, fatkeqësisht prej mëse një jave është raportuar çdo ditë për një viktimë. Ditën e sotme ka ndërruar jetë një 66-vjeçari i cili prej një jave ishte i shtruar në Urgjencën e spitalit Infektiv në QSUT. Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se në 24 orët e fundit nga 344 testime janë regjistruar 78 raste të reja me COVID-19. Një pjesë e mirë e rasteve ditore lidhen me kontakte të rasteve të mëparshme pozitive, ndërkohë që vazhdon hetimi për raste të reja. Në total në Shqipëri betejën me koronavirusin e  kanë humbur 49 persona.

Vatrat më të nxehta me COVID-19 janë në Shkodër, Krujë dhe Tiranë. Ndërsa mësohet se nga virusi është prekur edhe bashkia e Gjirokastrës, ndërsa pas 6 rasteve të reja është mbyllur edhe bashkia e Delvinës, pasi njëri prej të infektuarve ishte punonjës i bashkisë.

Numrin më të lartë të të prekurve ditorë e ka Shkodra me 14 raste, në Krujë janë identifikuar 13 të prekur, Tirana ka 12 raste, 9 janë identifikuar në Pukë, 6 në Delvinë, nga 4 raste në Gjirokastër, Vlorë, Kukës, nga 2 raste në Kamëz, Durrës, Fier, dhe nga 1 rast përkatësisht në Kurbin, Korçë, Kavajë, Lushnje, Mirditë, Pogradec", thuhet në njoftimin e ministrisë.

Ndërkohë që në spitalin infektiv aktualisht po trajtohen 76 pacientë, 14 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar.  Sipas ministrisë lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 33 qytetarë, duke e çuar në 1250 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë janë aktualisht 894 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet të gjithë qytetarëve të respektojnë masat e vendosura, ndërsa bizneset të zbatojnë protokollet e miratuara të sigurisë.
Recommended