Gati laboratori i dytë, Rakacolli në Report Tv: Analizat për COVID do të bëhen edhe në QSUT

  • 4 years ago
TIRANE-Ministria e Shëndetësisë duket se për momentin ka lënë pezull kërkesën e ISHP-së për të certifikuar edhe laboratorë të tjerë për tamponët, që i hapte rrugë testeve edhe në spitale private. Zv/ ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli e ftuar ditën e sotme në studion e Report Tv u shpreh se aktualisht fluksi i lartë po përballohet nga vetë shteti te laboratori i ISHP-së, ndërsa po shtohen kapacitetet për të bërë analizën edhe në laboratorin e QSUT-së. Pra, në laboratorin e mikrobiologjisë në QSUT, që aktualisht po kryen testet serologjike do të bëhen edhe tamponët për COVID-in. "Në këtë moment po vazhdojmë t'i përballojmë në shtet, po shtojmë kapacitetet edhe te QSUT-ja për të bërë analizën e PCR edhe në këtë laborator, për momentin jemi aty ku kemi qenë" tha ajo.

Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se rritja e numrit të të infektuarve erdhi si pasojë e rihapjes, por një nga vatrat kryesore të përhapjes së COVID-it ishte QSUT. Por cfarë mendon për këtë zv/ ministrja e Shëndetësisë dhe çfarë çaloi?  "Infektimi i bluzave të bardha është një fenomen që ndodh në cdo epidemi dhe kjo është arsyeja, që duartrokitjet e ditëve të para kur akoma nuk kishte një të infektuar, ishte përshëndetja duke e ditur, edhe bluzat e bardha vetë do të plagoseshin dhe kështu ka pasur në të gjithë botën dhe fatkeqësisht ka pasur edhe të mbetur.Fatmirësisht në Shqipëri nuk kemi pasur asnjë që ka humbur jetën apo të ketë pasur nevojë për trajtim intensiv. Por në këtë kohë infeksioni nuk ndodhi në të gjithë QSUT, pasi nuk është mirë të përgjithësohet, pasi janë 58 shërbime dhe nga këto infeksione të mëdha patën vetëm 2 shërbime, që trajtojnë pacientë që janë faktorë risku shumë të madh për t'u prekur si te sëmundjet e brendshme dhe të gjakut. Kështu që është një fenomen. Nuk ishte mirë të ndodhte, por ndodhi. E rëndësishme është që u mbyll".

Recommended