Të rishikohet testi i Gjuhës Shqipe, maturantët protestë te Ministria e Arsimit pa distancim

  • 4 years ago
TIRANE-Një grup maturantësh në kryeqytet të pakujdesshëm në distancim dhe pa maska kanë protestuar mesditën e sotme përpara ministrisë së Arsimit.

Protesta vjen një ditë pas provimit të dytë, që ishte gjuhë letërsia. Por përse? Maturantët akuzojnë ministren e Arsimit se struktura e ndërtimit të testit nuk ishte e njëjtë me atë model që u premtua dhe studiua.

Gjithashtu ato shprehen se testi ishte pa lidhje dhe logjikë, ndryshe nga ajo që kanë mësuar këto vite. Testi ka qenë me alternativa, 60 pyetje. Studentët po ashtu kërkojnë që të ulet niveli i vështirësisë në provimet e radhës. Maturantët në protestë janë nga gjimnaze të ndryshme të Tiranës.

"Ne kërkojmë një rishikim të tezës, pyetjet ishin subjektive" tha njëri prej maturantëve. Ndërsa një tjetër theksoi se "Ne kemi kaluar shumë peripetsi nga tërmeti dhe pandemia.

Procesi mësimor nuk ka qenë i plotë. Shkuam në provim me premtimin për një tezë më të lehtë, por modeli i testit nuk ishte i tillë, nuk e kishim parë asnjëherë një gjë të tillë. U surprizova dhe demoralizova".

Grumbullimet nuk janë të lejuara, por maturantët përpos protestës paradite do të mblidhen sërish pasdite, në të njëjtin vend, te ministria e Arsimit. Ndërkohë që përpos Tiranës protestë ka pasur edhe Berat.

Disa maturantë janë mbledhur për të protestuar duke i cilësuar pa lidhje gjuhën shqipe të tezës që ishte formuluar. Maturantët kanë marshuar në shenjë proteste nga bulevardi Republika deri tek drejtoria Arsimore Berat.

Recommended