'Digjet' afati i ndërkombëtarëve! S'ka dakordësi për 'Zgjedhoren'! PD:PS s'hoqi dorë nga privilegjet

  • 4 years ago
TIRANË- Nuk ka marrëveshje për Reformën Zgjedhore!  4 muaj e gjysmë, që nga krijimi i saj, Këshilli Politik nuk ka arritur që të gjejë gjuhën e përbashkët, duke bërë që Reforma Zgjedhohet të shtyhet përtej afatit të 31 majit. Pas më shumë se 4 orë mbledhjeje, PS-PD/LSI dhe opozita e re kanë dalë nga ky takim më larg se kurrë konsensusit, ku fajtorë për mos arritjen e një marrëveshje kanë bërë njëri- tjetrin. Prania e përfaqësuesit të ambasadës Amerikane, Ian Craeford, shef i seksionit politik dhe ekonomik, nuk ka ulur "gjakrat" mes përfaqësuesve politik duke bërë që afati i përcaktuar nga ndërkombëtarët të digjet, pavarësisht këmbënguljes së SHBA-BE që kjo reformë të mbyllet në 31 maj. 

Opozita me përfaqësues Oerd Bylykbashin dhe Petrit Vasilin kanë deklaruar se fajtore për mos arritjen ë një dakordësie është Partia Socialiste, sipas së cilëve "nuk ka hequr dorë nga privilegjet që ka", e ndërsa referuar deklaratës së tij, në takimin e sotëm, janë shtuar çështjet që palët nuk kanë rënë dakord. Nëse në mbledhjen e kaluar, problem ishte vetëm depolitizimi i administratës Zgjedhore dhe identifikimi biometrik, kësaj here përveç këtyre dy pikave, Bylykbashi renditi dhe rolin e KQZ-së dhe Kolegjin Zgjedhor.

Në përgjigje të tij, Damian Gjiknuri tha se ishte gati drafti përfundimtar, por propozimet në minutat e fundit të opozitës ndikuan që të mos arrihej një konsensus. Ai theksoi se qeveria ka rënë dakord me shumë pika të opozitës, edhe ato që i cilëson si "kushte", por pavarësisht kësaj, sipas tij "ato nuk hoqën dorë nga kërkesat absurde".

Ndërkohë, Rudina Hajdari ka hedhur akuza për të dyja palët politike, sipas së cilët sot, edhe një herë tjetër, treguan se kanë në fokus interesin personal dhe jo të shqiptarëve. "Sot iu mbyll dera SHBA-së", tha Hajdari.

Megjithatë, në një pikë bashkoheshin të gjitha palët, që dera e dialogut nuk është mbyllur, duke lënë të nënkuptuar se tryeza e Këshillit Politik do të mblidhet sërish. Deri më tani është rënë dakord për çështjen e rifinancimit të partive, kuotave gjinore, shkurtimit të periudhës se kur do të zhvillohen zgjedhjet, rolin e policisë dhe që SPAK të hetojë krimet zgjedhore.

Recommended