Vjedhja e makinave beri bashke vrasesit e viktimat? |Lajme-News

  • 4 years ago
Vjedhja e makinave ka qenë aktiviteti që kishte bërë bashkë katër personat e vrarë brenda 2 muajve në Shkozet; vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia dhe Dorjan Shkozën e Anxhelo Avdinë, me dy të akuzuarit si autorë të këtyre krimeve, Altin Ndoci e Klevis Alla.
Është ky versioni i dhënë nga Klevis Alla, njëri nga të arrestuarit si autor të dy vrasjeve të bujshme.
Ai ka thënë para prokurorëve se, së bashku me Altin Ndocin, vidhnin makina të markave të ndryshme dhe i dërgonin në servisin e Besmir Haxhiajt.
Aty u ndërrohej numri i shasisë. Më pas makinat dërgoheshin në servisin e Dorjan Shkozës, i cili merrej me lyerjen e tyre.
Një pjesë e makinave rishitej në treg dhe një pjesë tjetër përdorej nga Besmir Haxhia, për t?i dhënë me qira.
Alla thotë në dëshminë e tij se bashkëpunimi ishte prishur për shkak të një shume parash të palikujduar nga viktimat.
Ai ka dhënë edhe 7 emra, që sipas tij janë përfshirë në këtë aktivitet.
Por prokurorët i kanë marrë me rezerva pohimet e tij, pasi janë kontradiktore.
Në një nga seancat e marrjes në pyetje, ai ka thënë se konflikti kishte lindur vërtetë për para, por sipas tij, bëhej fjalë për një pjesë të 4.6 milionë eurove të grabitura në Rinas.
Alla ka deklaruar se vëllezërit Haxhia kishin fshehur njërin nga grabitësit dhe paratë që ai kishte marrë nga grabitja dhe se ai së bashku me Altin Ndocin kërkonin një pjesë të tyre. Pasi ata nuk ua dhanë, i vranë me 27 Prill.
Për vrasjen tjetër, atë të 2 Marsit, ka thënë se ishte pajtuar nga një grup kriminal për t?i ekzekutuar.
Ka pranuar gjithashtu pjesëmarrjen në disa atentate të tjera të ndodhura në Durrës. Versionet e tij po verifikohen nga grupi hetimor, teksa i akuzuari tjetër, Altin Ndoci, thotë se as nuk njihet me Allën.
Për shkak të kontradiktave në deklarata, prokurorët nuk kanë vendosur ende nëse 22-vjeçari do të marrë apo jo statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Tv Klan

Recommended