Italia ne alarm nga koronavirusi

  • 4 years ago
Autoritetet italiane janë në alarm pas rasteve të para të përhapjes së koronavirusit përbrenda vendit. 3 italianë kanë rezultuar pozitivë ndaj testeve të koronavirusit në qytezën e Kastilione d?Adas, që ndodhet rreth 50 kilometra në jug të Milanos.

Në gjendje të rëndë është një 36-vjeçar, menaxher në një kompani tregtare e lidhur me ndërmarrje të ndryshme në Kinë. Në gjendje më të lehtë është bashkëshortja shtatzënë dhe një mik i tij. Autoritetet kanë vënë në karantinë dhjetëra persona e ambiente të vizituara prej tyre.

Mjekët dyshojnë se 36-vjeçari mund të jetë infektuar me Koronavirus nga disa shtetas kinezë të ardhur këto ditë në Itali, me të cilët ai kishte zhvilluar një drekë punë. Simptomat i kishte shfaqur 11 ditë më parë kur ishte paraqitur për vizitë në spital. 36-vjeçari udhëtonte shpesh drejt Kinës dhe herën e fundit, ai ishte kthyer në Itali më 21 janar. Ndaj dhe ekspertët dyshojnë se infeksionin nuk e ka marrë në Kinë pasi periudha 21 ditore është tepër e gjatë për të mos shfaqur simptomat e para të virusit.

Rasti i Italisë tregon se Koronavirusi nis të përhapet me shpejtësi edhe jashtë Kinës, ku ka vatrën. Vendi me më shumë të prekur jashtë Kinës është Japonia me 727 raste të infektuarish. Virusi është përhapur në 28 vende të botës, në të gjitha kontinentet veç Amerikës së Jugut. Rreth 2240 janë viktimat me afro 76 mijë të infektuarit.

Tv Klan

Recommended