Presidentja e KE: Do punojmë për integrimin e Shqipërisë me të njëjtin ritëm si për ndihmat

  • 4 years ago
Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen ka deklaruar se KE do vijojë të ndihmojë Shqipërinë për të shtruar rrugën drejt integrimit europian me të njëjtin ritëm me të cilin punoi të mbledhur ndihmat për rindërtimin pas tërmetit.

"Ne kemi punuar shumë për këtë konferencë me të njëjtin përkushtim kemi punuar që Shqipëria të shtrojë rrugën për hapjen e negociatave. E kemi rishikuar metodologjinë. Ishte e nevojshme për të treguar se ku po shkojmë bashkë. Ka ardhur koha që ne të fillojmë të hapim bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ne i kemi kërkuar shumë gjëra dhe ata i kanë bërë", tha Ursula von der Leyen.

Ajo tha se metodologjia e re do të ofrojë një perspektivë më të besueshme për Shipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe deklaroi se në fillim të Marsit do të botojë një raport të ri me qëllim që të krijojë besim për të gjitha palët.

"Ne sapo kemi ndryshuar metodologjinë, e cila përshpejton procesin dhe ofron perspektiva më të besueshme për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut që mund të ecim përpara drejt qëllimit tonë të përbashkët për hapjen e negociatave. Unë kam besim. Ne do të botojmë një raport të ri për vendin në fillim të marsit, me qëllim të krijojmë besim për të gjitha palët", deklaroi presidentja e KE.

Recommended