Tritol poshtë makinës, por fitili u fik! Administratorit të Vllaznisë, Lici: S'trembem asnjë fije

  • 4 years ago
SHKODËR-Dështon atentati me eksploziv kundër administratorit të ekipit të futbollit të Vllaznisë Suad Lici. Në një ditë të shënuar, 101-vjetorin e themelimit të ekipit të futbollit persona të paidentifikuar gjatë natës, kur të gjithë ishin në gjumë vendosën një pako me 200 gr eksploziv C4 poshtë makinës tip 'Benz' me targa AA 311 SH të Suad Licit. Fatmirësisht pakoja me eksploziv nuk shpërtheu, pasi fitili përcjellës, sipas ekspertëve të xhenios që shkuan nga Tirana, ishte fikur duke bërë që zjarri të mos arrijë deri tek kapsolla që të kryente shpërthimin e tritolit që ishte mbështjellë me natriban. Mjeti tip "Benz" i Licit ishte parkuar në lagjen "Ahmet Haxhija" përpara shtëpisë, ngjitur me stadiumin 'Loro Boriçi'. Rreth orës 08:30 minuta kur Lici kur doli nga shtëpia dhe u drejtua për të hipur në makinën e tij pikasi në tokë pakon e dyshimtë dhe njoftoi menjëherë policisë.

Forcat e xhenios që shkuan nga Tirana hoqën eksplozivin, por nuk e bënë shpërthimin e kontrolluar, pasi do të analizojnë lëndën plasëse, ndërsa do të hetojnë për gjurmë të mundshme gishtash që mund të jenë lënë në pako për të shkuar te autorët. Report Tv solli pamjet nga Shkodra të makinës së Suad Licit, që iu vendos tritol. Grupi hetimor sekuestroi pamjet e kamerave të sigurisë së bizneseve pranë banesës dhe stadiumit, pasi tribuna është vetëm 5 metra larg. Pista e parë që po hetohet lidhet me detyrën e Licit si administrator i Vllaznisë. Suad Lici u shpreh për mediat se nuk ka konflikte me asnjë dhe nuk e di se nga mund ti ketë ardhur tentativa e dështuar me eksploziv, por i pyetur nëse ka pasur kërcënime apo mesazhe lidhur me punën te Vllaznia, ai nuk e mohoi, por u shpreh se i ka sqaruar ata që kanë pasur pretendime. Lici theksoi nuk duhet të dalim në përfundime para se të flasë drejtësia, por kishte një apel nëse ngjarja lidhet me sportin dhe detyrën e tij te Vllaznia, "kriminelët duhet të rrinë larg sportit".

Recommended