Report TV - Tragjedi në Bulqizë, nëna me 2 fëmijët asfiksohen nga tymi i sobës
  • 4 years ago
BULQIZË - Një grua dhe dy fëmijët e saj ndërruan jetë si pasojë e asfiksisë nga tymi i përhapur nga soba me dru, ndërsa vajza tjetër e familjes fatmirësisht ka shpëtuar, dhe gjendja e saj shëndetësore është stabilizuar.

Rajmonda Tola, 45 vjeç, u gjet e pajetë në banesën e saj në fshatin Ostrimë të Madhe në Bulqizë, së bashku me djalin, Fatjonin 14 vjeç dhe vajzën, Rudinën 22 vjeç. Ndërkohë vajza tjetër e shtëpisë, 16-vjeçarja Merita Tola, u gjet me shenja jete dhe menjëherë u transportua drejt spitalit të Bulqizës. Pas marrjes së ndihmës së parë ajo u transportua në spitalin e Traumës në Tiranë, ku gjendja e saj shëndetësore paraqitet e stabilizuar. Rudina ishte e fejuar, dhe më 5 shtator, do të kurorëzonte dashurinë në martesë.

Policia tha paraprakisht se familjarët mund të jenë asfiksuar nga rrjedhja e gazit nga bombola, por burime nga Inspektorati Shtetëror Teknik Industrial  (ISHTI), pas verifikimeve me një grup ekspertësh ka konstatuar një bombol gatimi me gaz në ballkonin e shtëpisë, e cila ishte me siguresë të mbyllur, ndërsa në banesë nuk është ndjerë erë gazi, çka heq dyshimet e tyre se familja mund të jetë asfiksuar nga gazi. Por në banesë, familja Tola ngrohej me sobë me dru, dhe dyshimet janë që familja të jenë asfiksuar nga tymi i përhapur në dhomë.

Grupi hetimor ka nisur hetimet dhe pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkaqet që çuan në vdekjen e një nëne dhe 2 fëmijëve të saj.

Ka qenë kunata e së ndjerës ajo që paraditen e kësaj të premteje ka shkuar në banesë, por kur Rajmonda nuk i ka hapur derën ka njoftuar komshinjtë, të cilët pasi kanë hapur me forcë derën e jashtme kanë gjetur trupat e pajetë në një dhomë dhe vetëm një nga vajzat me shenja jetë.

Kryefamiljari, Ylber Tola, ndodhet në Greqi, ku bën punë sezonale dhe me marrjen e lajmit tragjik është nisur për në atdhe.

Familjarët kanë hapur dyert e mortit.
Recommended