Report TV - Taulant Balla mbron projektligjin për të huajt: S’kemi fuqi punëtore për rindërtimin

  • 4 years ago
TIRANË- Ndryshimi në ligjin për "të huajt" që parashikon procedura të lehtësuara për pajisjen me viza, ka sjellë debate në seancën e sotme parlamentare mes opozitës së re dhe mazhorancës. Sipas socialistëve,  këto ndryshime do të ketë efekt direkt në rritjen e numrit të huaj që shohin Shqipërinë si një mundësi për punësim, duke argumentuar se është shumë i rëndësishëm në një kohë kur për shkak të rindërtimit pas tërmetit, ka mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar. Megjithatë, deputeti i opozitës së re, Ralf Gjoni i ka kundërshtuar fort këto ndryshime. Nga foltorja e Kuvendit, Gjoni shprehet se është një gënjeshtër që ka lidhje me tërmeti, pasi është vendosur për konsultim publik dy muaj para, më konkretisht më 19 shtator 2019. Më tej, Gjoni thekson se për këtë nuk është konsultuar me grupet e interesit dhe shoqërinë civile, duke shtuar se kjo gjë do të sillte ardhjen nga vendet e treta të emigrantëve. 

?Pse gënjeni kaq hapur? Ky projektligj s'ka lidhje fare në tërmetin. Ju këtë ligj e keni vendosur për konsultim publik online për 20 dite në dt. 19 shtator 2019. Pra dy muaj përpara tërmetit të nëntorit. Dhe për më tepër, nuk është konsultuar me asnjë prej grupeve të interesit apo me shoqërinë civile. Pastaj përse nuk ka një studim të nevojave të tregut të punës??

Është e qartë që kjo qeveri po angazhohet për shpopullimin e Shqipërisë nga shqiptarët", tha Gjoni në parlament. Megjithatë, në përgjigje të Gjonit, kreu i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla dhe deputeti Ulsi Manja thanë se me anë të këtyre ndryshimeve vetëm sa janë hequr procedura burokratike, dhe jo verifikimet nga shërbimet inteligjente apo strukturat e tjera.  

"Kontrolloni mos keni marrë një ligj tjetër, se nuk ka lidhje fare me diskutimin tuaj. Më thoni në cilin gërmë ka ndryshuar procedura e dhënies së vizës? Në asnjë pikë. Për ata që nuk e dinë, ka një procedurë që kalon përmes shërbimeve inteligjente. Vetëm kemi shmangur një hallkë që e kemi konsideruar idiote. S'ka nevojë të shkojë në Konsullatë, ta marrin në intervistë, të vijë pas dy javësh të marrësh pasaportën me vizë. Ua kemi bërë më të thjesht. Do i sjellin online, do verifikohen të gjitha dhe pastaj do të vlerësoj nëse paraqet risk për sigurinë e vendit, për emigrantë të paligjshme. Kemi një strukturë shtetërore që i verifikojmë ditën që hyjnë dhe ditë që dalin", tha mes të tjerave Balla.