'Zgjedhorja', Dashamir Shehi në Report TV: Takimi i së mërkurës vendimtar
  • 4 years ago
TIRANË- Reforma Zgjedhore ka sjellë përplasje mes partive opozitare. Një informacion i tillë është konfirmuar nga kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar (LZHK) , Dashamir Shehi, në emisonin e "5 pyetje nga Babaramo" në Report Tv. Përballë gazetarit Ilir Babaramo, Shehi ka deklaruar përplasjet janë për sistemin zgjedhor.

"Për Reformën kemi debatet tona. Është një çështje që nuk është mbyllur akoma. Unë gjykoj që nëse do shkonim në zgjedhje për 3-4 muaj do të pranoja sakrificën që të shkoja me këto kushte, me një kontroll më të madh mbi votën. Nëse këtë reformën ne votojmë në 2021 unë gjykoj që do jetë një gabim vdekjeprurës për opozitën shqiptare, se gjatë kësaj periudhe nuk kemi pse ngutemi, se kemi nevojë për një reformë reale, të bindim faktorët që janë në piacë të ndryshojmë sistemin dhe të shkojmë në 2021 për ta votuar. Sot kjo sakrificë bëhet për ndërrimin e shpejtë të pushtetit, nuk do kishte vlerë kjo reformë e afruar sot", tha Shehi. Duke u ndalur tek aksioni opozitar, Shehi tha se kjo javë dhe takimi i së mërkurës do të jetë vendimtar, pasi do të ketë përfundime konkrete mbi planin që do ndjekin në muajt në vijim dhe platforma e pika konkrete se çfarë do u ofrohet shqiptarëve. Shehi, tha se ishte kundër dhunës, por shtoi se është momenti për t'i "treguar dhëmbët" kryeministrit Edi Rama.

"Ne nuk jemi autorë të dhunës, por gjykojmë se nëse këtij regjimi ne nuk i tregojmë dhëmbët, që këtu shumica është kundër teje atëherë ka gjithë të drejtën të sundojë dhe natën e mirë pastaj do presim siç mbarojnë sundimin çdo sundimtar në mënyrë fiziologjike. Nuk them që do merret vendimi final, por propozoj që të dalim me një qëndrim të prerë çfarë do bëjmë ne, çfarë do u kundërpërgjigjemi, çfarë do u ofrojmë ndërkombëtarëve. Ndërkombëtarët kanë takuar shefat, mirë do bënim që t'i takonim të gjithë, nuk do shumë mençuri kjo punë. Rama është e keqja e vetme, ka bllokuar debatin e brendshëm, që e majta e ka pasur gjithmonë. E djathta jo, por e majta po, ka pasur debate. Ndërsa ky e ka kontrolluar tenxheren e vetë, që jashtë kapakun nuk del jo avull, por as zhurmë. Sa kohë të jetë Rama duhet të bëjmë një mënyrë të vazhdueshme si bëhet politik, jo për të ndryshuar karrigen, të ikë ky dhe të vij një tjetër me të njëjtin mënyrë", tha Shehi në Report Tv.
Recommended