Report TV -Vendi merr kryesimin e OSBE, buxheti i 2020 'gjunjëzon' Ministrinë e Jashtme

  • 4 years ago
TIRANE- Reduktohet buxheti për Ministrinë e Jashtme. Në buxhetin e miratuar për vitin 2020, Ministrisë së Punëve të Jashtme i ishte akorduar 3.6 miliardë lekë, ndërsa me rishikimin që i është bërë së fundmi është vendosur ti jepet 220 milionë lekë më pak, duke e çuar në 3.4 miliardë lekë.

Ndërkohë, kjo ministri këtë vit do të përballet me një sfidë të rëndësishme diplomatike, siç është drejtimi i karriges së OSBE, për të cilin duhet një fond i posaçëm që deri më tani ka rezultuar i pamjaftueshëm, ndërkohë sfida pritet të jetë edhe më e madhe duke qenë se kjo Ministri do të përfitojë 220 milion lekë më pak.Ministri në detyrë për Punët e Jashtme Gent Cakaj, më herët ka deklaruar se për drejtimin e OSBE janë afërsisht 4 milion dollarë shtesë ekskluzivisht të dedikuar për shqiptarët e OSBE.

Por drejtuesja e Komisionit të Politikës së Jashtme Mimi Kodheli, e paralajmëroi Gent Cakajn se kjo shumë është më pak se gjysma e asaj që do ketë nevojë Shqipëria për organizimin e aktiviteteve dhe jo vetëm, gjatë drejtimit të OSBE. Sipas saj, shuma që do duhet është 10 milion

Shqipërisë do i duhet të kontribuojë në sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit si drejtuese e OSBE, me një buxhet të reduktuar dhe me kriza të mëdha politike mbi supe.

Një muaj më parë, Komisoni i Integrimit Europian diskutoi lidhur me fondin që duhej për të përballuar këtë vit. Zv ministri i Jashtëm Etjen Xhafaj deklaroi se buxheti i vënë në dispozicion i përmbush objektivat e tyre.

Deputetja e Partisë Socialiste Senida Mesi kërkoi informacion nëse në buxhet është parashikuar fondi prej 10 milionë eurosh për aktivitetet e marrjes së presidencës së OSBE, ndërsa Xhafaj u shpreh se e kanë gati një kërkesë. Por duket se kjo kërkesë tashmë nuk është përmbushur, duke pasur parasysh fondin e përcaktuar për vitin 2020.

Recommended