Vale arrestimesh ndaj gylenisteve ne Turqi

  • 5 years ago
Nuk ndalen operacionet masive kundër mbështetësve të klerikut Fetullah Gylen në Turqi. Edhe pse kanë kaluar mbi 3 vjet nga grushti i dështuar i shtetit, prokuroritë vijojnë të lëshojnë urdhërarreste për pjesëmarrësit në të.

171 persona janë arrestuar gjatë orëve të fundit, pasi prokuroria e Ankarasë lëshoi 260 mandat-arreste kundër gylenistëve. Të gjithë akuzohen se kanë përdorur një aplikacion të quajtur ByLock.

Aplikacioni përdorej masivisht në Turqi nga pjesëmarrësit e grushtit të dështuar të shtetit për të shkëmbyer informacione të padeshifrueshme mes tyre. Përmes këtij aplikacioni, ata koordinonin veprimet për organizimin e Grushtit të 16 Korrikut 2016 kundër Presidentit Erdogan. Bëhet fjalë për operacionin më të madh kundër tyre për këtë vit në Turqi.

Pas grushtit të dështuar të shtetit, dhjetëra mijëra persona janë arrestuar, e mbi 140 mijë të tjerë janë pezulluar e pushuar nga puna nga administrata publike. Perëndimi ka akuzuar Rexhep Taip Erdogan se ka shfrytëzuar situatën për të spastruar administratën publike nga kundërshtarët politike, duke shkelur rëndë të drejtat e njeriut.

Tv Klan

Category

📺
TV

Recommended