Qeveria 57 mln € për tërmetin/ Rama: Tre lagje të reja për të pastrehët! Basha s'ka fantazi
  • 4 years ago
TIRANE-Për të gjithë personat që u goditën nga tërmeti tragjik i së martës së javës së kaluar dhe mbeten të pastrehë do të ndërtohen tre lagje të reja, në Tiranë (ende në diskutim një e vetme në Kashar apo dy, një në Kombinat dhe një në Shkozë), një në Durrës dhe një në Laç. Objektiv është përfundimi i lagjeve të 'Rilindjes' deri në vitin 2021, teksa pallatet e vjetra në Kombinat do të shemben dhe inertet në Durrës dhe Thumanë do të hiqen me kontribut nga ndërtuesit si Lana. Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e gjashtë të jashtëzakonshme që zhvilloi mëngjesin e sotëm në orën 07:00 deklaroi se qeveria ka ristrukturuar buxhetin e 2020 duke vendosur në dispozicion të fondit për tërmetin tragjik si fazë të parë 0.4% të PBB. Afërsisht, e përkthyer në shifra është 57 mln euro shuma që do të japë shteti për fondin e fatkeqësisë për tërmetin tragjik.  

Ai sqaroi se nuk do të ketë asnjë ndryshim parametrash që mund të kërcënojë qëndrueshmërinë e gjithë sistemit makroekonomik, projektet e nisura nuk do të pezullohen, por shtoi se nuk do të blihet asnjë makinë për zyrtarët, dollap apo pajisje tjetër duke rekomanduar që kryetarët e bashkive dhe drejtuesit e njësive administrative nëse nuk kanë automjete të lëvizin ma kalë. Sot kreu i qeverisë së bashku me ministrat e Mbrojtjes dhe të Jashtëm do të jenë në Samitin e NATO-s në Angli, ku Rama u shpreh se do të shkojë për të kërkuar ndihmë te liderët e vendeve anëtarë pas tërmetit tragjik. E ndërsa ftoi edhe njëherë Lulzim Bashën në tryezë, Rama i cilësoi idetë e tij si pa fantazi dhe gajasje, por shtoi se mirëkupton se edhe opozita ka probleme nga tërmeti.

Kryeministri paralajmëroi edhe njëherë tjetër ndërtuesit, ndërsa zbuloi disa nga mesazhet që kishte marrë prej tyre pas ultimatumit që u vendosi që të riparojnë vetë dëmet nga pallatet. "Policia kriminale duhet të japë së shpejti të gjitha konkluzionet për të gjitha godinat që në Durrës janë dëmtuar rëndë dhe janë bërë të pabanueshme dhe ato të dëmtuara, që riparohen. Paralelisht sikur e kemi diskutuar dje në Këshillin e Sigurisë të thirrur nga Presidenti, urojmë që prokuroria të bëjë të gjithë punën e nevojshme për të identifikuar përgjegjësitë përkatëse. I bëj thirrje të gjithë ndërtuesve publikisht që të mos i shmangen përgjegjësisë. Mos gënjejnë veten se me shpresën se kjo gjë mund të kalojë pa u lagur.
Recommended