'E çuditshme'! Posta në Krujë u grabit kur ikën dritat! Hajdutët morën 13 mln lekë dhe 1500 Euro
  • 4 years ago
TIRANE-Drejtori i Postës Shqiptare, Laert Duraj deklaroi sot në një dalje për mediat se shuma që është grabitur në postën e Krujës është 13 mln lekë dhe 1500 euro, jo 11 mln sikur u raportua në fillim. Ai tha se sistemi i sigurisë ka funksionuar, ndërsa përgjegjësinë për grabitjen e ka kompania e sigurisë, që do të paguajë deri në qindarkën e fundit. 

?Zyra postare e Krujës ka qenë brenda standardeve, sistemi sinjalizues ka funksionuar në mënyrë perfekte. Grabitësit morën kasafortën dhe arritën të largoheshin. Përgjegjësia e kompanisë në këtë rast është e qartë, pasi çdo dëm që shkaktohet ndaj postës, do të paguhet nga kompania. Edhe nga kontratat është e qartë se kompania që neglizhon paralizohet deri në qindarkën e fundit?-tha ai.

Ndërkohë që Report Tv zbardh detaje të reja nga grabitja, të cilat janë pagesa të ndryshme, të dritave dhe ujit dhe jo të pensioneve. Sipas burimeve të Report Tv, grabitja e postës për 'çudi' është bërë në momentin që në qytetin e Krujës është shkëputur energjia elektrike rreth orës 01:40 minuta të së hënës.Autorët kanë pasur informacion të sigurt, pasi në zyrën e postës janë dy kasaforta, ndërkohë që u grabit vetëm ajo që kishte 13 mln lekë dhe 1500 Euro brenda, teksa tjetra nuk është prekur.

Drejtor i postës së Krujës është Xhelal Rraja është vëllai i deputetit të PS-së Rrahman Rraja. I kontaktuar nga Report Tv, deputeti socialist thotë se nuk mban përgjegjësi dhe se nuk është prokuror. "Tani nuk jam prokuror dhe nuk di, kushdo që të jetë të mbajë përgjegjësi vetë. Aty ka roje private që paguhet për të ruajtur objektet shtetërore dhe private, që i kanë marrë përsipër" tha ai. Report Tv sjell pamjet nga posta, ku duken dëmtimet që kanë shkaktuar grabitësit nga shqyerja e derës.

Për këtë ngjarje është arrestuar roja, 51-vjeçari Besnik Parruca, e ndërsa është shpallur në kërkim specialisti i sallës S. T., 28 vjeç pasi fshehën ngjarjen. Roja ka deklaruar se nuk ka njoftuar uniformat blu pasi është kërcënuar nga autorët, madje e ka fshehur ngjarjen edhe kur është pyetur nga patrulla e policisë.