Takimi lobues në Strasburg, Meta përdhosi institucionin e Presidentit! Përse Venecia nuk e priti?

  • 5 years ago
Ditën e djeshme Presidenti i vendit, Ilir Meta bëri një udhëtim drejt Strasburgut, që sot zyrtarisht nga zyra e shtypit të tij u reklamua si një vizitë pune edhe pse kjo lëvizje ishte e paparalajmëruar. Në faqen zyrtare të Presidencës u reklamua edhe vizita e Presidentit në Strasburg që në një formë përgjigje ndaj mediave që shkruan se ai kishte udhëtuar drejt Strasburgut duke lobuar ' për të shpëtuar lëkurën e tij' ku u takua edhe me Presidentin e Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio, e shiti si takim pune.

Por në këtë postim të Presidencës vihet re një detaj që nxjerr blof Presidentin, si dhe përdhos institucionin që ai përfaqëson. Nga fotografia e publikuar, shihet që Presidenti Meta ka takuar zotin Buquicchio me një kartë vizitori të varur në qafë, poshtë një posteri të rastit me një pamje nga Venecia dhe pa asnjë lloj protokolli zyrtar mikpritje.

Me pak fjalë në axhendën e Komisionit të Venecias nuk ka pasur asnjë takim të planifikuar me Metën dhe për këtë arsye, Presidenti i Republikës është trajtuar njësoj si një kalimtar i rastit apo student i interesuar, duke u pajisur me leje hyrje për të vizituar ambientet e Komisionit të Venecias. Kjo për një institucion si Presidenca e një vendit që synon që të bëhet anëtare e Bashkimit Europian është shumë denigruese.

Pajisja e një presidenti me një kartë që i lejon hyrjen në një institucion ndërkombëtar është një akt i paprecedent në historinë e diplomacisë apo marrëdhënieve dypalëshe mes shteteve.

Recommended