Goditet grupi greko-shqiptar i armeve

  • 5 years ago
Një organizatë kriminale e trafikut të armëve dhe municioneve nga Shqipëria drejt Greqisë, është shkatërruar gjatë një operacioni të përbashkët mes Policisë Greke dhe Policisë Shqiptare. Gjashtëmbëdhjetë persona janë identifikuar si anëtarë të organizatës, 11 grekë e 5 shqiptarë, njofton Policia Greke.
Nga këta janë arrestuar 6 vetë, kurse 10 të tjerë janë shpallur në kërkim. Nga hetimet e policisë greke është zbuluar se organizata ishte e ndarë në dy grupe. Njëri grup vepronte në Shqipëri dhe ishte përgjegjës për grumbullimin e armëve dhe municioneve, të cilat më pas dërgoheshin në ishullin grek të Kretës.
Në bazë të kërkesës që bëhej për numrin e armëve, organizohej puna për gjetjen e tyre në vendin tonë. Më pas transportimi bëhej nëpërmjet një fuoristrade. Nga të dhënat hetimore rezulton se që prej Nëntorit të vitit 2018 e deri më sot, ky grup kriminal ka kryer të paktën 4 raste të trafikut të armëve dhe municioneve nga Shqipëria drejt Greqisë me destinacion ishullin e Kretës. Numri i saktë i armëve është i paspecifikuar.
Automjete, kallashnikovë, pushkë dhe 122.566 fishekë janë sekuestruar në Greqi gjatë operacionit në Kretës. Përfitimet e organizatës nga ky aktivitet i paligjshëm janë përllogaritur në rreth 232 mijë Euro. Emrat e të arrestuarve nuk janë bërë të ditur.

Recommended