Prishtine, koalicionet parazgjedhore ende te paqarta
  • 5 years ago
Ende asgjë konkrete rreth koalicionit të mundshëm parazgjedhor LDK-LVV. Lidhja Demokratike e Kosovës përfundimisht refuzoi ofertën që i bëri sot Vetëvendosje që të garojnë me listë të përbashkët zgjedhore, por pa kandidat për Kryeministër.

Kreu i kësaj partie, Albin Kurti, kërkoi që kandidati i cili fiton më shumë vota të zgjidhet Kryeministër.

Por për LDK-në kjo është e papranueshme pasi sipas tyre gara nuk është ndërmjet anëtarëve të LDK-së dhe LVV-së, por me PAN-in.

LDK-ja nuk heq dorë që kandidate për Kryeministre të jetë Vjosa Osmani, ndërsa kërkon edhe njëherë nga LVV-ja që të rishqyrtojë ofertën e LDK-së.

Partia Demokratike e Kosovës gjatë gjithë ditës ka qëndruar e heshtur. Ajo megjithatë ditë më parë ka paralajmëruar befasi. Zakonisht deri më tani kjo parti ka mbledhur rreth vetes shumë parti të vogla, por kësaj radhe është në pikëpyetje nëse do të bashkohen edhe me koalicionin e Nismës dhe AKR-së.

Ndërsa AAK-ja që tashmë është në koalicion me PSD-në, mbetet e hapur për Nismën e AKR-në, por ka përjashtuar mundësinë për koalicione parazgjedhore me parti të tjera të mëdha.

Mbetet të shihet deri në mesnatë nëse do të ketë ndonjë befasi pasi, partitë e mëdha politike gjithmonë presin të shohin veprimet e njëra-tjetrës para se të vendosin nëse do të shkojnë në koalicione parazgjedhor.

Po sot vendet anëtare të QUINT-it kanë kërkuar që kandidatët që garojnë në zgjedhje të mos kenë të kaluar kriminale.

Tv Klan
Recommended