Report TV - PD, Pampuri: Shqiptarët janë më të varfër, ejani në protestë kundër Ramës
  • 5 years ago
Ish-deputetja e Partisë Demorkatike, Orjola Pampuri ka dalë në një deklaratë për mediat pak orë para protestës së opozitës duke hedhur akuza ndaj qeverisë Rama si dhe duke ftuar qytetarët në tubimin e orës 20:00.

Sipas Pampurit 31% e familjeve në Shqipëri nuk sigurojnë dot bukën e përditshme, veshjet dhe nevojat bazë. Më pas sipas pretendimeve që ngre Pampuri skamja është rritur 6% në krahasim me 1 vit më parë. Papunësia, situata e keqe ekonomike, korrupsioni, krimi dhe emigracioni problemet kryesore të vendit.

Deklarata e Plotë:
Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan, qytetarët e të cilit vazhdojnë të varfërohen në mënyrë të pandalshme.

Një anketim i Barometrit të Ballkanit tregon se gjendja e ekonomisë në familjet shqiptare po përkeqësohet nga viti në vit dhe se me qeverinë e Edi Ramës 1/3 e shqiptarëve nuk mund të mbyllin dot muajin. Thënë ndryshe, 31 përqind e familjeve në Shqipëri nuk sigurojnë dot bukën e përditshme, veshjet dhe nevojat bazë.

Asnjë nga vendet e tjera në rajon nuk ka këtë nivel skamjeje, e cila për Shqipërinë është gati dy herë më e lartë se mesatarja e rajonit.

Çfarë e bën edhe më të rëndë gjendjen është përkeqësimi i ekonomisë familjare dhe rritja e frikshme e numrit të familjeve që nuk përballojnë dot nevojat bazë për jetën.

Treguesi i rritjes së varfërisë dhe skamjes është simboli i qeverisë së Edi Ramës. Brenda 12 muajsh ata që nuk kanë bukë të hanë apo të sigurojnë veshje për fëmijët e tyre është rritur me 6 përqind.

Mbi 65 përqind e familjeve shqiptare nuk kanë të ardhura për të përballuar as dhe një javë pushime.

Anketa e Barometrit të Ballkanit nxjerr në pah se problemet kryesore të shoqërisë shqiptare janë papunësia, situata e keqe ekonomike, korrupsioni, krimi dhe emigracioni. Këto janë 5 fusha ku qeveria e Edi Ramës ka dështuar plotësisht.

Zhytja e shqiptarëve në varfëri nga vitit në vit, pasurimi i vet dhe i një grushti njerëzish pranë tij me projekte korruptive, me taksa të larta, me vjedhje dhe grabitje të pasurive të vendit, janë arsyeja kryesore pse 85% e shqiptarëve e refuzuan Edi Ramën në 30 Qershor.
Recommended