Pjesëmarrja/ Çfarë po ndodh me SHIFRAT e KQZ dhe ndryshimi pas 'vulosjes' së rezultateve
  • 5 years ago
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve doli në mbrëmje pas procesit të votimit, ku dha një shifër paraprake të pjesëmarrjes ne 61 bashki. Edhe pse u theksua disa herë nga zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj, se këto shifra janë paraprake dhe të marra përmes telefonatave me komisionerët nga qendrat e votimit, këto shifra u kthyen në 'armën' e opozitës sot për të akuzuar për manipulime.

Në fakt, hendeku i shifrave u krijua në momentin kur nisi procesi i numërimit, dhe kur disa bashki vulosën rezultatet pas numërimit të të gjitha fletëve të votimit. Me përfundimin e numërimit, dolën ne disa raste më shumë vota, nga sa votues ishin raportuar në total mbrëmë, në informacionin paraprak të KQZ-së. Zëdhënësja e KQZ-së Hoxhaj sqaroi prapë sot se rezultatet e dhëna mbrëmë nuk ishin zyrtare dhe përfundimtare, pasi informacionet ishin mbledhur përmes telefonatave, ndryshe nga zgjedhjet e shkuara që janë bërë përmes sistemit elektronik, siç tha edhe kryetari Klement Zguri në një deklaratë për mediat sot.

Por akuzat nga opozita po hidhen për ndryshime të qëllimshme dhe manipulime të të dhënave, për të cilat Zguri tha se do të ketë një hetim administrativ.

Shqiptarja.com sjell disa raste ku pjesëmarrja e personave që kanë votuar në bashki dhe te raportuar mbrëmë nga KQZ, duket më i vogël se sa numri i votave që kandidatët për kryebashkiak kanë marrë, ose në pergjithësi numrin e zgjiedhësve që rezulotn nga proces-verbali. Kjo është mospërputhja ee videntuar sot edhe nga KQZ.

Nga sa Shqiptarja.com u informua, ka pasur edhe raste ku mbreme disa qendra votimi nuk kanë raportuar. Ose kur këto raportime kanë ardhur pasi kutitë janë dorëzuar në KZAZ për të nisur procesin e numërimit. Në këto raste komisionerët kanë raportuar në KQZ pa pasur një procesverbal para, thjesht duke raportuar për numrin që ata kanë mbajtur mend dhe qe rezulton me i vogel se sa ai real.

Numri i saktë i pjesëmarrjes në votime, në përqindje dhe në numër votuesish, do të dalë me përfundimin e numërimit të të gjitha kutive.
Recommended