Paloka: Dibra është prova më e qartë e dhunës shtetërore ndaj qytetarëve
  • 5 years ago
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, në një dalje për mediat, ka deklaruar se ajo çfarë ndodhi në Dibër është tregues se si qeveria e Ramës po dhunon qytetarët. Ai tha se ministri Sandër Lleshaj me urdhër të kreut të qeverisë, ka mashtruar se në protestën e mbrëmjes së djeshme, ka pasur efektivë të lënduar nga dhuna e ushtruar, por janë lënduar nga gazi lotsjellës që ata vetë hodhën. (ndonëse për këtë ka video që e vërtetojnë)

Për të përforcuar mendimin e tij, ai solli deklaratën e një infermiereje në Dibër, që thoshte po të njëjtën gjë që Paloka citoi më sipër.

"Dibra është prova më e qartë e kësaj dhune shtetërore. Policë, njerëz merr maska dhe uniforma shteti, por pa identifikim, si dhe forca speciale të ushtrisë me uniforma të përziera janë bërë njësh për të dhunuar, për të terrorizuar qytetarët e Dibrës dhe për t?i detyruar ata të dalin në votimet moniste dhe të paligjshme, të organizuara nga Edi Rama. Mbrëmjen e djeshme nuk ka ndodhur asgjë nga ato që policia politike e Edi Ramës dhe Sandër Lleshajt mashtroi. Ka patur vetëm protestues paqësorë në të drejtën e tyre kushtetuese për të kundërshtuar rikthimin e diktaturës në vend. E vetmja që ka qenë në paligjshmëri, ishte policia, e cila ka goditur me gaz lotsjellës protestuesit paqësore", tha Paloka.

Në vëmendje ai ka sjellë edhe përgjimet e "Bild", sipas së cilit fakti që nuk ka asnjë arrestim, nënkupton që kjo qeveri ka ardhur dhe e ka mbajtur pushtetin në bashkëpunim me kriminelët.

"Dhuna shtetërore në Dibër organizohet nga e njëjta bandë shtetëroro-kriminale që ka dalë në përgjimet e BILD-it, duke blerë vota, duke kërcënuar dhe dhunuar qytetarët, duke penguar votën e kundërshtarëve. Në vend që Imer Lala, Dionis Imeraj, Robert Aga dhe banditë të tjerë të ishin pas hekurave të burgut për shkatërrimin e procesit zgjedhor të Dibrës, ata janë janë të lirë dhe po organizojnë farsën e së dielës dhe dhunën shtetërore për llogari të Edi Ramës", tha Paloka.
Recommended