Basha: Zef Hila burrë kurajoz dhe me dinjitet. Sulmi me molotov i orkestruar nga Rama dhe Doshi

  • 5 years ago
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i doli në mbrojtje Zef Hilës, i cili u shkarkua me vendim qeverie nga kryeministri Edi Rama, sot, një ditë pas sulmit me bomba molotov në KZAZ numër 6 në Bushat, të Bashkisë së Vaut të Dejës që drejtohet nga Zef Hila i zgjedhur nga PD 4 vite më parë. Një burrë i matur, kurajoz dhe me dinjitet, e quajti Basha kryebashkiakun Hila, duke thënë se ajo që ndodhi mbrëmë në Vaun e Dejës është një skenar i organizuar nga kryeministri Edi Rama dhe Tom Doshi për të krijuar përplasje.

Duke e dënuar këtë incident dhe duke hequr përgjegjësitë e PD-së në këtë ngjarje, Basha tha se kryeministri Rama po kërkon viktima për të mbajtur pushtetin. Ishte Policia e Shtetit e cila në një njoftim për mediat mbrëmë pas sulmit me zjarr të KZAZ-së, tha se autorët ishin rreth 250 militantë të PD-së.

"Edi Rama ka shkarkuar sot Zef Hilën kryebashkiakun e Vaut të Dejës.Është hakmarrje personale politike, kundër një përfaqësuesi të ligjshëm, të denjë të njerëzve.
Është vendim personal i Edi Ramës që përdor Këshillin e Ministrave si fasadë, dhe mercenarin Sandër Lleshi, një njeri i pa zgjedhur, i pa votuar, pa asnjë përfaqësim, për ta ndërsyer kundër njerëzve dhe opozitës. Nuk ka asnjë motiv dhe nuk ka asnjë arsye për shkakrimin e tij. Zef Hila nuk ka qenë as fizikisht dhe në asnjë mënyrë tjetër i përfshirë në incidentin e djeshëm në Vaun e Dejës. Shkarkimi është një akti kriminal i një autokrati të kriminalizuar që tani po përdor forcën e pushtetit vetëm për të mbrojtur bashkësundimin e tij me krimin. Zef Hila është një burrë i matur, kurajoz dhe me dinjitet. Ai nuk përzihet në planet tinzare dhe burracake të Edi Ramës kundër njerëzve të pafajshëm. Sepse ajo që ndodhi në Vaun e Dejës ishte një skenar i organizuar nga Edi Rama me Tom Doshin për të krijuar konflikte. Edi Rama është duke kërkuar viktima për të mbajtur pushtetin. Edi Rama po kërkon të flijojë njerëz të pafajshëm për të mbajtur pushtetin. Dhe si përherë këto plane kriminale i bën dhe zbaton me të fortë dhe kriminelë. Ne nuk do ta lejojmë këtë plan antishqiptar, që mund të ndezë përplasje të madhe kudo.Ndaj ju bëj thirrje të gjithë anëtarëve dhe mbështetësve të Partisë Demorkatike, por edhe të gjithë qytetarëve, mos bini pre e provokimive dhe e skenarëve kriminalë të Edi ramës dhe shpurës së banditëve të tij.
Ne jemi të fortë. Ne jemi shumicë. Ne e dimë cila është rruga përpara dhe nuk ka asgjë që na kthen mbrpasht. Ne do jemi të gjithë shumë mirë. Shqipëria do të bëhet shpejt shumë mirë.
Rama dhe mercenarët e tij do të jenë shumë keq së shpejti. Ata e dinë fundin e tyre, prandaj reagojnë si egërsirat e plagosura për vdekje", tha Basha.

G.M./r.k.

Recommended