BE-OSBE: Te mos pengohet votimi me 30 Qershor

  • 5 years ago
Dy ditë përpara zgjedhjeve lokale, Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë i bën thirrje aktorëve politikë të mos pengojnë votimin e 30 Qershorit duke i lënë qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre në mënyrë të rregullt e paqësore.

"Qytetarët shqiptarë duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në mënyrë të rregullt dhe paqësore. Duke pasur parasysh votimet që do të zhvillohen më 30 Qershor 2019, është e domosdoshme që qytetarët që ushtrojnë të drejtat e tyre ta bëjnë këtë në një mënyrë të rregullt. Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e të gjithë aktorëve politikë për të siguruar që veprimtaritë e votimit të mos pengohen".

Nisur nga protesta paqësore e opozitës në 21 Qershor, delegacioni fton që të njëjtat parime dhe vlera demokratike duhen ruajtur edhe në 30 Qershor dhe i fton palët të përfshihen sa më parë në dialog.

"Çdo veprim i dhunshëm apo çdo formë nxitjeje për dhunë janë absolutisht të papranueshme në çfarëdo lloj rrethane. Të gjitha palët politike duhet të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin retorikën provokuese. Të gjitha palët duhet të angazhohen në një dialog të mirëfilltë, sa më shpejt që të jetë e mundur, për të kapërcyer situatën aktuale politike në mënyrë që t?i përqëndrojnë përpjekjet e tyre në mbështetjen dhe konsolidimin e progresit të bërë nga Shqipëria deri më tani në procesin e reformave në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian".

Sakaq edhe OSBE-ja ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje dhe dialog.

"Tani, më shumë se kurrë, është e domosdoshme që aktorët shqiptarë të punojnë së bashku për të kaluar ngërçin aktual, të angazhohen në dialog pa parakushte dhe të sigurojnë që zgjedhjet e kësaj të diele të zhvillohen paqësisht. Ne i nxitim të gjithë aktorët të mbështetin shtetin e së drejtës, të respektojnë rolet kushtetuese të institucioneve demokratike përkatëse dhe të drejtat e njeriut, si dhe të shmangin dhunën; si autorët, ashtu edhe nxitësit e akteve të dhunshme do të jenë përgjegjës ligjërisht. Gjithashtu, në u bëjmë thirrje institucioneve të zbatimit të ligjit të përdorin masa përpjestimore".

Për OSBE-në çdo akt dhune në disa prej bashkive është i paparanueshëm.

"Çdo përpjekje për të nxjerrë nga shinat procesin demokratik, përmes veprimeve të dhunshme, pengon përparimin e Shqipërisë dhe njollos reputacionin ndërkombëtar të vendit. Çdo shkelje ligjore e lidhur me zgjedhjet, përfshirë blerjen e votës, abuzimin me burimet publike dhe ushtrimin e presionit ndaj nëpunësit e sektorit publik sa u përket zgjedhjeve, duhet të ketë pasojat e duhura ligjore".

Në njoftimin thuhet se OSBE pas 30 Qershorit, do të përkrahë fuqishëm përpjekjet e përtërira për reformë në vend, përfshirë reformën gjyqësore, në përputhje me kërkesat dhe aspiratat e popullit shqiptar.

Tv Klan

Recommended