Sulmohen KZAZ-te ne disa qytete

  • 5 years ago
Mbështetës të opozitës sulmuan Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve Numër 16 në Burrel. U përplasën me policinë, duke kërkuar lirimin e ambienteve, në mbështetje të dekretit të Presidentit Ilir Meta, për anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit.

Në mbështetje të Forcave të Rendit, që thonë se po zbatojnë me përpikmëri ligjin për të mbrojtur KZAZ-të, erdhën Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Nga përplasja pati disa të plagosur. Por protestuesit arritën t?i nxjerrin nga KZAZ-ja materialet zgjedhore dhe u vunë flakën.

Pas kësaj, bllokuan rrugën nacionale dhe u drejtuan në Klos, ku gjithashtu sulmuan KZAZ-në numër 17.

I nxorën materialet jashtë dhe i dogjën. Tensionet pati edhe Bashkinë e Kukësit. Pasi protestuesit tentuan  të bllokojnë mbledhjen e materialeve zgjedhore, policia i ka nxjerrë ato vullnetarisht.

Incidente u regjistruan edhe në KZAZ Nr 27 në Kamëz.

"Ka qenë ora 10:30 e mëngjesit të sotëm kur Policia Bashkiake e Kamzës, e përkrahur nga simpatizantë të Partisë Demokratike ka tentuar të hapë portën për të marrë materialet zgjedhore. Ka qenë ky momenti që ka krijuar përplasje mes tyre dhe Forcave të Rendit".

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë përdorur sprai lotsjellës për të shpërndarë turmën. Si pasojë u lënduan 2 policë bashkiakë. Situatë më e tensionuar ka qenë edhe nëPogradec, ku protestuesit janë përpjekur të marrin në kontroll mjediset e KZAZ-së.

Drejtues të Bashkisë së Kavajës dhe mbështetës të opozitës i vunë një ultimatum policisë për liruar ambientet e KZAZ-së 42 që ndodhet në palestrën e shkollës 9-vjeçare "3 Dëshmorët".

Një ditë më parë në Shkodër, punonjës të bashkisë të mbështetur nga protestues të opozitës, i vunë vënë flakën KZAZ numër 3, e cila ndodhet në ambientet e shkollës së mesme "Shejnaze Juka".

Në Tropojë po ashtu u sulmua KZAZ-ja e vendosur në Muzeun Historik.

Sot policia njoftoi arrestimin e 7 personave për incidentet në Tropojë dhe 5 për ato në Shkodër. Për ngjarjet në këto dy qytete, në kërkim janë 25 persona.

Ata akuzohen për shkatërrim të pronës, dëmtim me dashje të materialeve zgjedhore dhe kundërshtim të policisë.

Tv Klan

Recommended