Kishte fshehur vjedhjen në një supermarket/ Prokuroria kërkon 1 vit e 6 muaj burg për ish-gjyqtarin
  • 5 years ago
Prokuroria e Tiranës kërkon dënim me 18 muaj burg për Admir Thanzën, ish-gjyqtarin e lartë, kushtetues dhe anëtarin e KLD-së ndër vite.

Prokurori Gentian Habazaj në pretencën e tij një kopje të së cilës e ka siguruar Report TV, shprehet se Thanza me ndërgjegje fshehu dënimin e dhënë nga drejtësia italiane në vitin 1999.

E për pasojë një ish-gjyqtar i Lartë sipas prokurorit Habazaj cënoi rëndë besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë me këtë veprim që duhet shlyer me dënimin e Thanzës.

Në seancën e kësaj të premte Thanza s'ishte i pranishëm pasi kishte kërkuar shtyrje me argumentin se ndodhej në Turqi duke shoqëruar të birin futbollist, por kjo kërkesë e tij u rrëzua.

Ishte procesi i vettingut dhe operacioni ndërkombëtar i monitorimit që u zbulua se Admir Thanza prej 19 vitesh fshihte një dënim të dhënë nga drejtësia italiane në vitin 1999 me akuzën e vjedhjes së sendeve dhe produkteve kozmetike në një supermarket në zonën e Pescarës.

Kjo gjetje e ONM-së bëri që më 17 korrik 2018 komisioni i pavarur i kualifikimit ta shkarkonte Thanzën nga detyra duke e nxjerrë jashtë sistemit.

Admir Thanza ankimoi vendimin, por edhe në kolegjin e posacëm të apelimit shkarkimi i tij u la në fuqi.

Kjo pretencë e Prokurorisë së Tiranës erdhi pas hetimit të nisur kryesisht prej saj dhe letërporosisë të mbërritur nga Italia ku u faktua gjetja e ONM-së për dënimin e dhënë nga drejtësia italiane.

Më 31 maj gjyqtari Ardian Kalia do të dëgjojë pretendimet e Thanzës dhe avokatit të tij, ndërsa pritet që më pas të shpallet vendimi.
Recommended