Jurgen Uldedaj serish kampion bote

  • 5 years ago
Gjashtë raunde me dorën e djathtë të dëmtuar dhe Jurgen Uldeda sërish nuk u ndal. Boksieri shqiptar arriti që të shpallej kampion bote për të rinjtë në federatën WBC.

Sipas grafisë që është bërë rreth orës 03:00 pas mesnate tregohet qartë se Uldedaj ka thyer kockën metacarpale të gishtit tregues të dorës së djathtë. Komuniteti i boksit në Gjermani është tronditur dhe mahnitur nga shpirti luftarak i 21-vjeçarit shqiptar.

"Fillimisht dua të përshëndes gjithë sallën për mbështetjen. Prej raundit të katërt fatkeqësisht theva dorën e djathtë. Dhashë maksimumin tim. Ju falenderoj të gjithëve".

Një ndeshje fantastike e boksierit shqiptar i cili edhe pse i dëmtuar sërish nuk u dorëzua por shtrëngoi fort dhëmbët dhe arriti që të thyente polakun Krzysztof Tvardovski.

Uldedaj ishe ai që kishte zotërimin e ndeshjes për pjesën më të madhe të kohës. Për kundërshtarin polak rezultoi një ndeshje shumë e vështirë. Edhe pse ai e kuptoi dëmtimin e Uldedajt dhe në raundet e fundit sulmoi më shumë, në asnjë momet nuk arriti që të bëntë një goditje të pastër.

Gjyqtarët dhanë vendimin e tyre në unanimitet. Uldedaj triumfoi me pikë 97-93. Shenjat në trupin e tij tregojnë qartë se boksimi ka qenë i ashpër, por ky është një sukses historik për të riun nga qyteti i Lezhës që arrin të bëhet boksieri i parë shqiptar që fiton këtë titull. Tashmë Jurgen Uldedaj është kampion bote në dy federata të ndryshme, pasi disa muaj më parë arriti të shpallej kampion bote në WBO.

Kjo është fitorja e 11-të për të në 11 ndeshje, duke ruajtur kështu pathyeshmërinë në ring.

Recommended