Pas takimit me Bashën, aleatët: Zgjedhje me një palë nuk do të ketë në 30 qershor
  • 5 years ago
Për rreth një orë, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me partitë aleate. Takimi, i zhvilluar në selinë blu, vjen një ditë para se aleatët do të takohen me presidentin Ilir Meta. Në përfundim të tij, ishte Dule dhe Mediu, të cilët u shprehën se qëndrimi i tyre është i njëjtë: zgjedhje me një palë nuk do të ketë në 30 qershor.

"Nesër në orën 11:00 zhvillohet takimi me Metën për t'i paraqitur këtë platformë, se përbën një bazë të mirë për të nisur përpjekjen të gjitha palët dhe për të arritur konsensusin e domosdoshëm që kërkon realiteti i rënduar në vend. Juve i ndoqët zhvillimet në Berlin, askush nuk e koncepton dot një situatë normale në vendin tonë. Zgjedhje nuk mund dhe nuk duhet dhe nuk do të ketë më 30 qershor. Arroganca, prepotenca e Ramës nuk i shërben këtij objektivi, që mbledh shumicën dërrmuese. Kemi një koalicion që është funksional mbi bazën e demokracisë", tha Dule.

"Kemi të njëjtën qëndrim për situatën, garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme pa Edi Ramën kryeministër dhe me një qeveri tranzitore. Presidenti i Republikës organizon tryezën jo nga dëshira jonë, por për shkak të situatës së rënë politike për të ndaluar një konflikt që po përkeqësohet çdo ditë e më tepër. Nuk përcaktojmë ne se kush është kryetari i PS, as nuk përcakton Rama se kush është kryetari i PD apo i partive të tjera. Çdo parti përfaqësohet me kryetarin që ka zgjedhur. Kryeministri për ne nuk duhet të jetë Edi Rama. Kryeministri për ne është pjesë e problemit dhe nuk është pjesë e zgjidhjes. Për këtë arsye ne nuk pranojmë Edi Ramën kryeministër që të jetë zgjidhja për zgjedhje të lira dhe të ndershme", tha Mediu.

Më herët, kreu i PDK, Nard Ndoka, kryetari i PR, Fatmir Mediu, Agron Duka, kryetar i PAA dhe kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi dolën në një qëndrim të unifikuar se kërkesa e tyre ndaj presidentit Meta për të ulur në tryezë dialogu të gjitha palët politike ka dakordësinë edhe të Bashës. Në këtë tryezë me fokus zgjidhjen e krizës politike, nuk përjashtohej të ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, në cilësinë e kryetarit të Partisë Socialiste, por jo si kryeministër.
Recommended