Roland Lami për Report Tv: S'ka zgjedhje më 30 qershor, kriza mund të zgjidhet nga të huajt
  • 5 years ago
Nuk zhvillohen zgjedhjet, pavarësisht se duket sikur situata po shkon drejt një normalizimi në kuptimin e përgatitjeve për zgjedhjet", shprehet analisti Roland Lami.

Kanë ngelur vetëm dy muaj nga data e dekretuar për zgjedhjet e 30 qershorit dhe kriza politike nuk po shkon drejt zgjidhjes. Analisti Roland Lami, gjatë një interviste për Report TV, pret që zgjidhja të vijë nga angazhimi ndërkombëtar.

"Palët vetë nuk gjejnë guximin dhe kurajën për të biseduar, nga Presidenti ka një iniciativë të munguar për të qenë palë ndërlidhëse në këto raste siç ja dikton kushtetuta, ndaj i vetmi faktor është ai ndërkombëtar, i cili deri tani është inekzistent", u shpreh Lami.

Lami thotë se cilado qoftë marrëveshja që mund të dalë nga dialogu i ri, zgjedhjet nuk mund të mbahen në 30 qershor.

"Nuk zgjidhet pasi nuk përkon koha e shpejtë e mbajtjes së zgjedhjeve me problemet që parashtron opozita. Shtyrja e zgjedhjeve është i vetmi skenar", thotë analisti.

Por cila mund të jetë zgjidhja në këtë rast?

"Edhe sikur të shkojmë drejt dorëheqjes së kryeministrit për të zhvilluar një palë zgjedhje normale, nuk më duket ndonjë katastrofë e madhe. Aq më shumë kur kryeministri mendoj që ka votën e publikut, dhe mund të fitojë dhe më shumë pikë madje, sepse toleranca e të fortit është avantazh, jo disavantazh", thekson Lami.

Sipas Lamit, as fraksioni i djathtë, Bindja Demokratike e Astrit Patozit nuk mund të zgjidhë krizën e përfaqësimit të opozitës.

"Jo, pavarësisht se duket sikur ka një kamp opozitar që po krijohet nëpërmjet KQZ-së apo iniciativave të personave të veçantë dikur me peshë në PD, nuk janë të mjaftueshëm për të na krijuar idenë që përfaqësojnë politikisht opozitën shqiptare", përfundoi ai.
Recommended