Fier, nuk ka paqe as për Pashkë, politikanët demokratë akuza socialistëve: Në sollën të keqen
  • 5 years ago
Politikanët, të majtë dhe të djathtë në Fier kanë uruar besimtarët ortodoksë, ndërsa mes tyre nuk kanë bërë paqe as për Pashkët. Ish-deputeti dhe kryetar i degës së PD-së në Fier, Luan Baçi u shpreh se 'Politika e gjashtë viteve ka qenë e mbrapsht që ka konsistuar në të keqen e shqiptarëve dhe të mirën e oligarkëve të kësaj qeverie'.

Ndërsa socialisti Xhavit Bushaj u përgjigj duke thënë se 'Ne politikanët, në ditë të shënuara, ashtu sikur patë edhe ata politikanët e rrugës më parë vijmë që të urojmë, por ky urim është për të gjithë shqiptarët, të gjithë ata që këto ditë kanë kaluar ditë të gëzuara, feste dhe këtë urojmë'.

Në momentin që po uronte festën Antoneta Dhima, drejt mitropolitisë po ngjisnin shkallët përfaqësuesit e LSI-së, ndërsa socialistja Adelina Rista iu drejtua 'Gëzuar Pashkët opozita".

Ish-deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj theksoi se 'Ne japim mesazhet dhe urimet më të mira, dhe nga kisha morëm mesazhin e mirë, të shpresës se shqiptarët në këto ditë të vështira kanë nevojë për shpresë për të ndenjur në Shqipëri dhe për të luftuar të keqen' tha ajo.