Pesticidet, 'Bujqësia' nis kontrollet në terren: S'ka vend për alarm, produktet të certifikuara
  • 5 years ago
Pas akuzave të shumta që janë drejtuar së fundmi ndaj fermerëve mbi përdorimin e pesticideve dhe kimikateve të ndryshme në produktet bimore ka reaguar Ministria e Bujqësisë, e cila nëpërmjet një deklarate për mediet lajmëron se ka nisur menjëherë verifikimet dhe kontrollet në terren për rastet e denoncuara deri më tani. Njëkohësisht inkurajon Prokurorinë të çojë përpara hetimet dhe të vendosë përpara ligjit këdo që cënon sigurinë ushqimore.

Gjithashtu paralajmëron se nuk do të ketë tolerancë ndaj askujt që abuzon me ushqimet dhe se janë të vendosur për të zbatuar me rigorozitet ligjin në çdo rast që konstatohet se është cënuar siguria.

Sipas Ministrisë sot në tregjet shqiptare ka produkte ushqimore të sigurta dhe të çertifikuara sipas standardeve të sigurisë ushqimore të garantuara me ligj dhe akte rregullatore, dhe në këtë mënyrë nuk ka vend për alarm.

Duke marrë shkas nga denoncimet e fundit ka reaguar edhe Prokuroria e cila lajmëron se ditën e djeshme "Prokurori i Përgjithshëm i është drejtuar prokurorisë së Beratit si prokurori kompetente me një kërkesë të menjëhershme për vlerësimin ligjor të të gjitha rrethanave dhe fakteve të dyshuara që mund të përbëjnë vepër penale".

Përdorimi i pesticideve në masën e duhur nuk përbën rrezikshmëri për produktet bimore. Ekspertët janë shprehur Report Tv se akuzat ndaj fermerëve po dëmtojnë tregun, ndërsa këshillojnë qytetarët të përdorin sa më shumë produkte të stinës.

Sipas tyre, goditje të tilla ndaj fermerëve vijnë gjithmonë në periudhën kur produktet vendase dalin jashtë, në mënyrë që të dëmtojnë eksportin.
Recommended