Premiera e filmit “Zgjimi i Enver Simakut”

  • 5 years ago
?Zgjimi i Enver Simakut?, produksioni i parë kinematografik spanjoll i xhiruar në Shqipëri u shfaq premierë në Kinema Millenium. Regjisori Marco Jedó është frymëzuar nga ngjarjet e vitit 1997 për të sjellë historinë e një gazetari, i cili kthehet në Shqipëri për të hetuar vdekjen misterioze të gruas së tij, të cilën ia kanë vrarë para 20 vjetësh.

"Ka qenë një eksperiencë shumë intensive, shumë e gjatë, sepse kemi që në vitin 2015 që punojmë këtu në Shqipëri. Jam shumë i lumtur që jam mirëpritur në këtë formë dhe shpresoj që edhe projektet e ardhshme t'i zhvilloj pse jo sërish në Shqipëri. Niveli i aktorëve është më i mirë nga çfarë mund të imagjinoja kur nisa projektin. Dhe unë jam shumë i kënaqur dhe shumë i impresionuar me fuqinë e tyre interpretuese", u shpreh regjisori Marco Lledó.

Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Viktor Zhusti, Pirro Milkani, Ema Andrea, Julien Blaschke janë vetëm disa prej emrave të njohur që janë zgjedhur për të sjellë këtë triller.

"Jemi para një filmi kur ne artistëve shqiptarë u ka ardhur një ftesë e pabesuar dhe e mirëpritur. Kemi kaluar ditë të mrekullueshme, sepse ishte ëndërr për ne të shkonim deri në Spanjë e të njiheshim me atë popull të mrekullueshëm, me atë pritje të jashtëzakonshme, që nuk do e harrojmë kurrë. Ishalla kemi rastin të punojmë prapë bashkë, ndonëse moshën e kam të madhe", tha aktorja Tinka Kurti.

Pas shfaqjes se filmit në Festivalin e Filmit të Sitges në Spanjë, ?Zgjimi i Enver Simakut? është shfaqur në kinema Millennium për të vijuar më pas edhe në kinematë evropiane.

Tv Klan

Recommended