S'i japin leje të shkojë në varrim/ Murataj në Report TV: Vëllai im nuk është organizatori

  • 5 years ago
"Admir Murataj është përdorur nga njerëz të pushtetshëm e të korruptuar për të kryer grabitjen e 10 milionë eurove në Rinas". Nga burgu 313 në një rrëfim ekskluziv për Report Tv, Aleksandër Murataj, vëllai i Admirit, deklaron se ai nuk kishte as forcën dhe as informacionin për të kryer një grabitje të tillë.

Ceremonia e varrimit të Admir Murataj do të zhvillohet ditën e sotme në orën 12:00 në Tropojë, por vëllai i tij nuk mund të jetë i pranishëm, pasi i është refuzuar leja nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Nga burgu, Murataj nëpërmjet ekranit të Report Tv u ka bërë thirrje autoriteteve që të marrin parasysh kërkesën, pasi dëshiron t'i japë lamtumirën e fundit vëllait, të cilën tregon se e ka takuar për herë të fundit rreth 1 muaj para se të arrestohej.

"Kemi kryer procedurat për të marrë pjesë në varrim, por Drejtoria e Përgjithshme nuk na lejon. Kam vite që nuk e kam takuar vëllanë, kam 2 vite në burg. E kam parë vëllanë një muaj ose 2 muaj e gjysmë para se të arrestohej. Sekuestrimin e pasurisë e kanë bërë para se të më arrestonin mua. Di sa shoh nga lajmet për vëllanë tim. Që të quhesh organizatash dhe të vritesh me policisë ose me tjetrin, një që ka logjikë nuk e koncepton që një organizator të vritet me plumb dhe të lihet në rrugë. Në lajme kam parë që është vrarë, s'e di kush e ka vrarë. Korrupsioni dhe organizatorët janë prej aty ku flitet te Parlamenti deri të aeroporti. A ka mundësi që të shkosh të marrësh 10 mln euro pa të çuar dikush tjetër?. Nuk ka shanse. Dikush e ka çuar Admirin aty. Admiri nuk sheh filxhan, nuk ka pasur nga ta dijë që po transportoheshin para. Unë kam jetuar 23-vite në emigracion, akoma nuk kam gjetur të drejtën time. Kam bërë 2 vite burg dhe nuk jam pyetur njëherë", u shpreh Murataj.

Aleksandër Murataj u dënua me 16 vite burg për grabitjen e 2 milionë eurove nga blindat në Rinas, ndërsa për të gjithë grupin, Gjykata dha 127 vite burg.

Recommended