Rama: Nëse KE do reformën zgjedhore para vendimit për negociatat, e miratojmë pa PD-në
  • 5 years ago
Deputetja Rudina Hajdari kërkoi që opozita e re të jetë pjesëmarrëse në procesin për reformën zgjedhore, duke e quajtur të turpshme ftesën e Partisë Socialiste për të pritur deri më 5 maj Pardinë Demokratike jashtë parlamentare për të dhënë sugjerimet e saj për reformën. Ajo tha se opozita e re duhet të shfaqë idetë e saj për sistemin e ri zgjedhor. Përgjigjet kryeministri Edi Rama, duke sqaruar se opozitën e vjetër e pret vetëm për këtë pikë, duke qenë se reforma ka nisur me PD-në e vjetër.

Megjithatë, kreu i qeverisë tha se nuk mund të presë PD-në pas 5 majit, dhe nëse Komisioni Evropian e sheh reformën si kyçe për raportin e progresit të qershorit për çeljen e negociatave, atëherë Kodi i ri zgjedhor do të miratohet pa PD-në e vjetër, me votat e opozitës së re, vetëm sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe asnjë sugjerimi të jashtëm. Për miratimin e saj duhen 84 vota, pra edhe votat e deputetëve të rinj nga opozita. Shefi i mazhorancës tha se me opozitën e re do të votohen ndryshime të tjera të Kodit, pasi pritet të ketë ndërhyrje për të miratuar votën e emigrantëve. Po ashtu do të duhet vota e tyre edhe për ndryshimet penale për ndëshkimin e shit-blerjes së votës.

"Me opozitën e re, miratojmë gjithçka tjetër. Me PD-ne na lidh VETEM reforma zgjedhore", theksoi Rama. Ai u shpreh se ndryshimet në sistemin zgjedhor nuk do të mund të zbatohen në procesin e afërt zgjedhor, atë të 30 qershorit 2019 kur pritet të mbahen zgjedhjet lokale.
Recommended