Krimi në Shkodër/ Fjalët e sinqerta të Voltana Ademit: Ndihem e frikësuar...sapo ka filluar

  • 5 years ago
Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi thotë publikisht para ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj dhe drejtuesve të policisë, se ndihet e frikësuar nga bandat e krimit. "Sapo ka filluar" tha - ajo. "Nuk duhet t'i lëmë të hanë kokat e tyre. Të bashkëpunojmë për të parandaluar krimin". Ministri Lleshaj vlerëson komunikimin e sinqertë të kryetares së Bashkisë: "Krimi nuk është në ato nivele sa të shkaktojë frikë. Bashkë do i kthejmë dinjitetin Shkodrës".

***

Ka zgjedhur të flasë e zhveshur nga politika dhe ta theksojë fort këtë. Si qytetare e Shkodrës, si grua, si nënë, kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi, tha hapur dhe publikisht, se ndihet e kërcënuar nga krimi që vijon të godasë kryeqendrën e Veriut. Foli në vetën e parë, duke thënë se ndihet e frikësuar, dhe se goditja e bandave të krimit, sapo ka filluar. Para ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, drejtuesit të policisë së Shkodrës të zgjedhur në detyrë pas atentatit të dyfishtë të së shtunës, prefektit të ri të Shkodrës dhe zyrtarëve të tjerë lokalë e të policisë, Voltana Ademi foli sinqerisht, kur tha se krimi ka marrë zemër për shkak se nuk është parandaluar. Ofroi bashkëpunimin e saj pa kushte, që bashkë me policinë, qytetarët dhe të gjitha strukturat e tjera, të luftojnë për të goditur krimin.

Recommended