Report TV - Bilanci i zi/ 1996 ankesa në KLD-në e Nishanit për gjyqtarët, asnjë i shkarkuar

  • 5 years ago
Në harkun kohor të tre viteve, 2013-2014-2015, janë regjistruar 1996 ankesa të qytetarëve dhe institucioneve të ndryshme, për abuzime konkrete të gjyqtarëve në gjykatat e shkallës së parë dhe apelit, ndërsa asnjë gjyqtar nuk është shkarkuar. Ky është bilanci i Këshillit të Lartë të Drejtësisë (tashmë i zëvendësuar me Këshillin e Lartë Gjyqësor), gjatë kohës kur drejtohej nga Bujar Nishani dhe kontrollohej nga Partia Demokratike. Nga të dhënat e siguruara nga Shqiptarja.com, 246 ankesa janë regjistruar në Regjistrin e Ankesave të Inspektoriatit të KLD për vitin 2013, 883 ankesa janë regjistruar gjatë vitit 2014 dhe 840 ankesa gjatë vitit 2015.

Shumica e këtyre ankesave janë arkivuar, ndërsa referuar raporteve të Inspektoriatit të KLD, nuk është ndëshkuar qoftë një gjyqtar. Gjatë kësaj periudhe, Këshilli i Lartë i Drejtësisë është drejtuar nga Bujar Nishani, në cilësinë e Presidentit të Republikës. Ky bilanc konfirmon edhe një herë perceptim publik se Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka funksionuar si mburojë i praktikave abuzive në gjyqësor dhe si organ qokash, përmes vendimeve për emërimin dhe vlerësimin e gjyqtarëve. Ndërkaq, nëse deri në vitin 2015, Këshilli i Lartë i Drejtësisë pasqyronte ankesat kundër gjyqtarëve, nga viti 2016 deri kur u shkri si institucion, nuk ka asnjë të dhënë për numrin e ankesave dhe shqyrtimin e tyre.

Recommended