Dy javë ndjekje për ta vrarë! Kapen 3 ekzekutorët e Jurgen Kurtit, u paguan 30 mijë €

  • 5 years ago
Vrasës me pagesë janë personat që tetë ditë më parë ekzekutuan në Tiranë, poshtë shtëpisë së tij, 26-vjeçarin Jurgen Kurti, i njohur si biznesmen dhe menaxher i personazheve të njohur të show-bizzit. Tre persona që kanë marrë pjesë në ekzekutimin e të riut në hyrje të pallatit ku i riu jetonte me nënën, u vunë në pranga sot nga Policia e Tiranës, si autorë të paguar për vrasjen. Një i katërt, dyshohet të ketë pasur rolin e koordinatorit. Burime për gazetarin e Report Tv, Arsen Rusta, thanë se autorët dyshohet të jenë paguar 30 mijë euro për ekzekutimin e Jurgen Kurtit. Ndërkohë nuk dihet ende se kush është personi/at që ka dashur kokën e Jurgen Kurtit. Pista kryesore e hetimeve: Hakmarrja.

***

Tetë ditë pas vrasjes së bujshme të 26-vjeçarit Jurgen Kurti në Tiranë, policia e kryeqytetit ka arrestuar tre persona bashkëpunëtorë në vrasje, ndërsa një i katërt u shpall në kërkim, emri i të cilit nuk bëhet publik për efekt të hetimeve. Ndërsa tre të arrestuarit janë ekzekutorë me pagesë dhe pjesëmarrës në krim, personi i kërkuar mësohet nga burime për Report Tv, se ka pasur rolin e koordinatorit. Nuk dihen ende emrat e personit/ave që kanë porositur vrasjen e Jurgen Kurtit.

Policia e Tiranës, në bashkëpunim me Prokurorinë e kryeqytetit, arrestuan Elsi Levendi 21 vjeç, lindur në Athinë/Greqi dhe banues në Tiranë, Alesio Berberi 33 vjeç lindur në Patos, Olsi Qalliaj, 22 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Patos. Burime për Report Tv thonë se tre autorët e arrestuar janë vrasës me pagesë dhe se ekzekutimin e Kurtit e kanë bërë me porosi, për llogari të një personi tjetër. Të njëjtat burim thanë për gazetarin Arsen Rusta, se autorët e kanë ndjekur për më shumë se dy javë Jurgen Kurtin, ndërsa dyshohet që vrasësit me pagesë të kenë marrë 30 mijë euro për ekzekutimin e Kurtit. Të arrestuarit kanë refuzuar të tregojnë emrin e personit që ka porositur vrasjen.

Policia thotë se ka sekuestruar një pistoletë TT, fishekë luftarakë, një sasi të vogël lënde narkotike, 2470 Euro e lekë shqiptare, si dhe 13 aparate celularë.

"Nga informacionet e grumbulluara, provat e administruara dhe të sekuestruara, si dhe tërësia e veprimeve hetimore të kryera, dyshohet se autorët e kësaj ngjarje janë 3 të arrestuarit bashkë me një tjetër të shpallur në kërkim. Policia gjatë kontrollit fizik dhe në banesat e tyre gjeti dhe sekuestroi një automjet që u ka shërbyer autorëve për tu larguar nga vendi i ngjarjes, si dhe dy makina të tjera luksoze", thuhet në njoftimin zyrtar.

Recommended