Banorët rreth gjashtë orë përplasje me përmbaruesit për pronën! Lleshaj liron kryepolicin

  • 5 years ago
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu liron nga detyra kryepolicin e Tiranës, Kastriot Skënderi, pas përplasjeve të forta mes përmbaruesve dhe banorëve të një godine tek "Petro Nini", në konflikt pronësie prej vitesh.

Dy familje me 15 anëtarë, prej gjashtë orësh protestuan për të mbrojtur banesën ku jetojnë prej 60 vitesh në rrugën "Petro Nini", pasi tokës ku është ndërtuar shtëpia i ka dalë pronari. Bënë qëndresë duke refuzuar zbatimin e vendimit të gjykatës nga ana e Përmbaruesve, me të cilët patën përplasje të forta.

Fillimisht u shtrinë në mes të rrugës duke bllokuar gjithë qarkullimin e mjeteve, më tej u futën në banesë duke mbyllur portën kryesore, dhe duke mos lejuar Përmbarimin të ekzekutojë vendimin e Gjykatës për t'i nxjerrë nga banesa. Disa prej familjarëve të përfshirë në përplasje u shoqëruan në polici, ndërsa të tjerë, me ambulancë për në spital si pasojë e gjendjes së vështirë shëndetësore që kaluan nga përshkallëzimi i situatës.

Banorët pretendojnë se pronarët e tokës Aleksandër dhe Ilir Gavoci, i kanë premtuar se do t'i japë disa banesa, por asnjë hap nuk është marrë.

Punonjësit e përmbarimit tentuan të futen me forcë në ambientet e shtëpisë duke qëlluar derën me shufra hekuri në sy të disa fëmijëve. Në këtë moment policia nuk ka bërë asnjë reagim, gjë për të cilën është kritikuar edhe nga ministri Sandër Lleshaj i cili ka deklaruar se policia ka detyrim ligjor të mbështesë përmbarimin dhe të tregohet efikas, ku duhej të shmangte incidentet ku ishin të përfshirë edhe fëmijë. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe kryeministri Edi Rama, i cili tha se qeveria nuk mund të dalë mbi një vendim gjykate të formës së prerë, dhe se policia e ka detyrim ligjor t'i përgjigjet Përmbarimit. Kryebashkiaku Veliaj ka deklaruar se Bashkia e Tiranës, edhe pse nuk është e përfshirë në këtë konflikt, do të ofrojë banesa sociale për banorët .

Nga ana tjetër, avokati i banorëve është shprehur se për këtë akt nuk ka asnjë vendim gjykate.

Në përfundim të protestës, banorët njoftuan se ditën e nesërme do të jenë te Gjykata e Lartë për të bërë një kërkesë për mos ekzekutimin e vendimit.

Recommended