Report Tv-Lirimi i 'Gjeneralit'/ Gjonaj pezullon drejtorin e burgut, kërkon hetim të gjyqtarit
  • 5 years ago
Pezullohet nga detyra drejtori i Burgut të Drenovës dhe dy punonjës të tjerë për lirimin e të dënuarit me burgim të përjetshëm Gert Gjinarari.

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj doli në një konferencë për mediat, kur tha se lirimi me kusht i Gjinararit, njohur si "Gjenerali" është në shkelje me ligjin.

Ministria e Drejtësisë ka bërë një hetim paraprak ku është konstatuar se është dhënë në kundërshtim me kriteret ligjore dhe kërkesat e kodit penal për dhënien liri me kusht për një të dënuar me burgim të përjetshëm. Ministrja tha se i është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe inspektoratit për të kërkuar nisjen e procedimit disiplinor për gjyqtarin, duke shprehur sigurinë se përgjigjja nga këto institucione do të jetë e shpejtë.

Ndërkohë, drejtori i Burgut është proceduar dhe janë referuar materialet pranë Prokurorisë Korcë, për veprën penale shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumenti, dhe deri në zbardhjen e ngjarjes janë të pezulluar nga detyra.

Gert Gjinarari, 45 vjeç, përfitoi lirim me kusht, në të njëjtën procedurë abuzive që shpëtoi nga dënimi përjetë edhe Dritan Dajtin, autor i vrasjës së 4 policëve. Gjinarari u dënua me burgim të përjetshëm në Itali, por me sjelljen e dosjes në Shqipëri ai kërkoi gjykim të shkurtuar, duke pranuar të gjitha aktet e akuzës, çka e çon dënimin përjetë në 25 vite burg. Një procedurë kjo e ndryshuar vitet e fundit, ku tashmë ndalohet gjykimi i shkurtuar për vepra të rënda penale, veçanërisht për vendime me burgim të përjetshëm.
Recommended