Arrestimi pas protestës/ Florenc Hoxha në gjykatë: Më futën pistoletën në gojë, vajzës i vunë armën
  • 5 years ago
Florenc Hoxha, ish-drejtori i Policisë Bashkiake të Tiranës në kohën që e drejtonte Lulzim Basha ka treguar sot para gjykatës momentet e arrestimit nga policia pas protestës së dhunshme në datë 16 shkurt. Ai ka akuzuar se policët i kanë futur pistoletën në gojë dhe se vajzës i vunë armën në kokë. Ai mohoi veprimet e dhunshme para selisë së qeverisë, ndërsa shtoi se 'Me aftësitë e mia policore, nëse do e kisha rrethuar me paramendim, ju siguroj se kryeministria sot nuk do të ekzistonte'.

Referuar akuzave për shkatërrimin e instalacionit të Kërpudhës në sheshin e Kryeministrisë, Hoxha tha se "Kam thënë se ajo jo që nuk është vepër arti, por është dhuratë e Eskobarit të Ballkanit, gjethe e hashashit dhuruar Edi Ramës si formë e bashkëpunimit të tij dhe falenderimi për bashkëpunimin e vitit 2016-2017-të. Me të dëgjuar e kam, nuk e kam të provuar, se do të paraqisja provat". Ish-kreu i Policisë Bashkiake Florenc Hoxha mbeti në burg. Gjykata e vlerësoi të ligjshëm arrestimin e tij pas protestës së dhunshme të opozitës të shtunën para kryeministrisë.

Bashkë me të u dha masa e sigurisë në Gjykatën e Tiranës, edhe për 18 protestues të tjerë që u arrestuan pas protestës që degjeneroi në dhunë. Mes të arrestuarve ishin edhe dy gra ndaj të cilave u vendos masa detyrim paraqitje, ndërsa për protestues të tjerë u vendos edhe masa e arrestit në shtëpi. Bashkë me Florenc Hoxhën arrest me burg u vendos edhe për Saimir Rexhepin, njohur si Ujku i Cërrikut. Në total, u vendosën 6 arreste me burg, 7 arrest shtëpie dhe 6 masa detyrim paraqitje. Në seancë i mbrojti avokat Ivi Kaso, njëherësh përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, i cili tha se e gjitha ishte një proces politik.
Recommended