Lefter Koka: Nuk do ta djeg mandatin e deputetit, Saliu po tërheq zvarrë LSI-në si Lulin
  • 5 years ago
Deputeti i LSI-së, Lefter Koka, ashtu sikur njoftoi edhe Shqiptarja.com mbrëmjen e djeshme (lexo këtu) ka dalë zyrtarisht kundër vendimit të partisë së tij për djegien e mandateve. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koka konfirmon se nuk do u bashkohet deputetëve të tjerë të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe atyre të Partisë Demokratike për të djegur mandatet. Ai thotë se vendimi për djegien e mandateve nuk është i LSI-së, por i Saliut.

"Dhe nëse erdhi dita që ai të tërheqë zvarrë LSI-në, a thua se LSI është Luli, nuk mund të më tërheqë zvarrë mua drejt aventurave që unë i gjykoj të turpshme për shoqërinë shqiptare dhe demokracinë" deklaron ai. Deputeti i zgjedhur në qarkun e Durrësit në zgjedhjet e 2017 e mbyll reagimin duke thënë se 'mandati im nuk mund të përdoret asesi për t?i vënë flakën institucioneve shtetërore apo parlamentit shqiptar'.

Lefter Koka është deputeti i parë që ka dalë kundër vendimit të opozitës për të djegur mandatet. Dje, PD dhe LSI-ja zyrtarizuan në mbledhjet e grupeve respektive vendimin per djegien e mandateve si rrugën e vetme që u ka mbetur përballë kësaj shumice. Dje, Monika Kryemadhi deklaronte se të gjithë deputetët e LSI do të digjnin mandatet, por Koka ka dalë nga rreshtimi duke u pozicionuar kundër, ndërsa mbetet për t'u parë nëse do të ndiqet nga të tjerë deputetë brenda kësaj force politike, apo nga opozita në tërësi.
Recommended