Shpëtim Idrizi thirrje Ramës: Larg duart nga PDIU-ja dhe çamët, na more dy drejtorë

  • 5 years ago
Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi gjatë një takimi me strukturat për protestën e 16 shkurtit që opozita do të zhvillojë para Kryeministrisë, i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të mbajë duart larg nga PDIU-ja. Ai akuzoi se shumica dje i vodhi mandatet PDIU-së, ndërsa tani i mori drejtorët që ishin emëruar nga kjo parti në periudhën e koalicionit.

"Kanë qenë vetëm 4-5 koka që ikën dhe bënë mirë që ikën. Ne kishim katër drejtori të Përgjithshme, dy sot i kanë sërish drejtorë, pse u shuan socialistët?! Dhe do të merrnin nga këta që deri dje na thoshin se ishin pjesë e tepsisë, i morën se sikur vodhën dje mandatet e PDIU-së, sikur krijuan dje parti politikë për të na çarë, po vijojnë edhe sot të fusin duart. I bëj thirrje Edi Ramës larg duart nga PDIU-ja dhe çamët. Ata që ikën e bën mirë, pasi e çliruan PDIU-në nga këta" tha Idrizi.

Edhe pse nuk përmendi emra, Idrizi duket se fjalën e kishte për drejtorin e AKU-së, që pak ditë më parë kaloi në krye të Burgjeve Agim Ismaili dhe atë të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, Vjollca Braho që vijon që të jetë në këtë detyrë edhe pas largimit të partisë së çamëve nga koalicioni me PS-në.